
Që prej nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, marrëdhënia mes Vladimir Putinit dhe biznesmenëve më të pasur të Rusisë është karakterizuar nga nënshtrimi dhe heshtja. Vetëm pak orë pas fillimit të luftës, presidenti rus mblodhi në Kremlin më shumë se 30 nga miliarderët e vendit, duke u kërkuar të mbështesnin qeverinë dhe të bashkëpunonin për të mbajtur ekonominë në këmbë.
Asnjëri prej tyre nuk guxoi të reagonte publikisht. Kjo heshtje është kthyer në një tipar të elitës ekonomike ruse, e cila gjatë viteve ka mësuar se kundërshtimi i Kremlinit mund të ketë pasoja të rënda. Rasti i Mikhail Khodorkovskyt, dikur njeriu më i pasur në Rusi, mbetet një paralajmërim për të gjithë ata që mund të mendojnë të sfidojnë presidentin. Pasi kritikoi Putinin dhe financoi grupe opozitare, ai përfundoi për dhjetë vjet në burg, nën akuza për evazion fiskal, mashtrim dhe përvetësim fondesh, të cilat i mohoi.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Rusia përjetoi një periudhë të jashtëzakonshme pasurimi për një grup të vogël biznesmenësh, të njohur si oligarkët. Gjatë viteve ’90, privatizimi i ndërmarrjeve të mëdha shtetërore u dha mundësinë individëve me lidhjet e duhura politike të krijonin pasuri gjigante dhe të ushtronin ndikim të drejtpërdrejtë mbi vendimmarrjen. Korrupsioni, favorizimet politike dhe vrasjet me pagesë ishin pjesë e realitetit të asaj periudhe.
Por, pas ardhjes së Putinit në pushtet në vitin 2000, kjo elitë u detyrua të hiqte dorë nga ambiciet politike dhe të pranonte autoritetin e Kremlinit. Presidenti nuk kishte ndërmend të ndante pushtetin me miliarderët dhe, ndërsa forconte kontrollin mbi institucionet dhe ekonominë, i vendosi ata në një pozicion varësie. Financieri Bill Brouder kujton sesi biznesmenët, të cilët dikur silleshin me arrogancë dhe vetëbesim në forumet ndërkombëtare, ndryshonin krejtësisht sjellje sapo shfaqej Putini, duke u kthyer në njerëz të nënshtruar.
Megjithatë, lufta në Ukrainë dhe sanksionet perëndimore kanë shtuar pakënaqësinë edhe mes atyre që kanë qëndruar besnikë ndaj Kremlinit. Nga njëra anë, biznesmenët që kanë kundërshtuar luftën kanë rrezikuar humbjen e pasurive, ndërsa ata që kanë mbështetur qeverinë janë shpërblyer me kontrata të majme shtetërore. Rusia numëron sot 155 miliarderë, sipas revistës Forbes, ndërsa pasuria e tyre e përbashkët ka arritur në një rekord prej afro 700 miliardë dollarësh. Por kjo pasuri nuk u garanton më ndikimin që kishin dikur.
Brenda vendit, vendimmarrja politike është përqendruar te Putini dhe rrethi i tij, ndërsa jashtë Rusisë, shumë prej tyre janë izoluar nga sanksionet, duke humbur mundësinë për të lëvizur lirshëm, për të përdorur avionët privatë apo për të ankoruar jahtet në portet më prestigjioze europiane. Analistët vlerësojnë se miliarderët kanë nisur të mendojnë për atë që do të ndodhë pas largimit të presidentit, pasi e kuptojnë se ndikimi i tyre aktual varet pothuajse tërësisht nga marrëdhënia me të.
Edhe pse nuk ka shenja për një largim të afërt të Putinit dhe as tregues se ai përballet me probleme shëndetësore, mosha dhe koha e gjatë në pushtet kanë bërë që elita ruse të mendojë për një të ardhme pa të. Presidenti, i cili mbushi 74 vjeç muajin e kaluar, ka drejtuar vendin për rreth një çerek shekulli. Në rast dorëheqjeje apo vdekjeje gjatë ushtrimit të detyrës, sipas Kushtetutës, atë do ta zëvendësonte kryeministri Mikhail Mishustin, i cili deri më tani nuk ka shfaqur ambicie të dukshme presidenciale.
Kjo mund të krijonte një boshllëk pushteti dhe të hapte rrugën për përplasje mes grupeve të ndryshme të interesit. Analistët shohin tri skenarë të mundshëm: vendosjen e një sistemi më demokratik, ardhjen e një tjetër udhëheqësi autoritar ose rikthimin e oligarkëve në qendër të vendimmarrjes. Megjithatë, mundësia e demokracisë konsiderohet më pak e besueshme, pasi gjatë sundimit të Putinit institucionet demokratike janë dobësuar ndjeshëm dhe vendi është mësuar me represionin politik.
Një prej skenarëve që duket se tërheq më shumë biznesmenët e pasur është rikthimi i një sistemi të ngjashëm me atë të viteve ’90, ku disa familje të fuqishme dhe grupe ekonomike ndajnë ndikimin politik. Sipas analistëve, oligarkët do të dëshironin një periudhë kur mund të negocionin drejtpërdrejt me pushtetin, të mbronin pasuritë e tyre dhe të kishin ndikim në vendimet e qeverisë.
Disa prej tyre kanë nisur të krijojnë marrëdhënie me zyrtarë të sigurisë dhe ministra, duke u përpjekur të pozicionohen për një ndryshim të mundshëm politik. Megjithatë, frika nga hakmarrja e Kremlinit mbetet e madhe. Ata që kanë pasuri të konsiderueshme në para të gatshme mund të kenë më shumë mundësi të luajnë politikisht, ndërsa ata që varen nga kontratat shtetërore dhe favorizimet e qeverisë nuk kanë shumë hapësirë për të vepruar, pasi rrezikojnë të humbasin gjithçka.
Një tjetër tregues i ndryshimit të atmosferës brenda elitës ruse është mënyra sesi disa prej biznesmenëve kanë nisur t’i referohen presidentit. Sipas gazetares dhe analistes ruse Alexandra Prokopenko, në të kaluarën ata përdornin nofka si “Nachalnik”, që do të thotë shef, apo “Perviy”, që përkthehet i pari, duke shprehur njëfarë respekti ndaj tij. Tani, disa kanë nisur ta quajnë “Ded”, që do të thotë gjysh ose plak, një emërtim që sipas saj mbart edhe një dozë përçmimi.
Prokopenko thotë se një pjesë e biznesmenëve po shprehin dëshirën për rikthimin e politikës në jetën publike, me më pak represion, më shumë liri shprehjeje dhe konkurrencë më të hapur mes partive. Megjithatë, frika është aq e madhe sa edhe bisedat private zhvillohen me masa ekstreme kujdesi. Ajo tregon rastin e një oligarku që gjatë gjithë intervistës kishte qëndruar ulur mbi telefonin e tij, nga frika se shërbimet sekrete mund të përgjonin komunikimet.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe miliarderi rus Andrey Melnichenko, një prej njerëzve më të pasur të vendit dhe i njohur si “mbreti i plehrave kimike”, për shkak të biznesit të tij në industrinë e fertilizuesve. Në fillim të këtij viti, ai dha një intervistë të pazakontë për revistën “The Economist”, ku, ndonëse përsëriti disa prej qëndrimeve të Kremlinit për luftën në Ukrainë dhe raportet me Perëndimin, kërkoi një ndryshim të mënyrës së qeverisjes në Rusi.
Melnichenko nuk bëri thirrje për largimin e Putinit, por argumentoi se vendi duhet të largohet nga modeli i pushtetit të përqendruar te një individ dhe të angazhohet më shumë me botën. Sipas gazetarit Arkady Ostrovsky, i cili zhvilloi intervistën, miliarderi dukej se po reflektonte seriozisht mbi të ardhmen e Rusisë dhe nuk po përsëriste thjesht deklarata politike të përgatitura. Analistët besojnë se mesazhi i tij mund të ketë qenë edhe një sinjal për biznesmenët e tjerë të pasur që të fillojnë të flasin për ndryshimet e nevojshme.
Pavarësisht pakënaqësisë në rritje, oligarkët nuk pritet të ndërmarrin hapa të drejtpërdrejtë kundër Putinit sa kohë ai është në pushtet. Ata e dinë se çdo përpjekje për të sfiduar presidentin mund t’u kushtojë lirinë dhe pasuritë, ndërsa sistemi aktual i kontrollit politik nuk u lë shumë hapësirë për organizim. Financieri amerikan Mike Calvey vlerëson se është e lehtë për ata që jetojnë jashtë Rusisë të kërkojnë nga miliarderët të ngrihen kundër Kremlinit, por pasojat për ta do të ishin burgimi dhe sekuestrimi i aseteve.
Megjithatë, largimi i Putinit një ditë do të hapë një kapitull të ri për Rusinë dhe oligarkët duket se po përgatiten që të rikthejnë ndikimin e humbur. Pyetja kryesore mbetet nëse pasardhësit e mundshëm të presidentit dhe strukturat e mbetura të regjimit do t’i lejojnë ata të rikthehen në qendër të pushtetit, apo nëse Rusia do të marrë një drejtim krejt tjetër.
BBC