Romelu Lukaku ka zyrtarizuar tërheqjen nga përfaqësuesja e Belgjikës. Sulmuesi ka bërë të ditur vendimin menjëherë pas fitores me Italinë në Ligën e Kombeve.
Përmes një postimi të gjatë në rrjetin social “Instagram”, sulmuesi i njohur u ka dhënë lamtumirën “Djajve të Kuq” pas plot 16 vitesh kontribut.
Në mesazhin e tij, “Big Rom” theksoi se gjatë kësaj periudhe ka dhënë gjithçka për ekipin kombëtar, duke përjetuar çdo lloj emocioni të mundshëm në fushën e lojës. Ai shfrytëzoi rastin për të falënderuar përzemërsisht të gjithë shokët fantastikë të skuadrës, si dhe trajnerët që e kanë mbështetur dhe kanë besuar vazhdimisht tek ai.
Një mirënjohje e veçantë shkoi edhe për tifozët belgë për mbështetjen e pakushtëzuar, teksa sulmuesi shprehu krenarinë e madhe që ka përfaqësuar vendin në katër Kupa Bote dhe tre Kampionate Europiane.
“Gjatë këtyre 16 viteve, kam dhënë gjithçka që kam pasur për ekipin kombëtar. Kam kaluar nëpër çdo emocion të imagjinueshëm. Kam luajtur me shokë skuadre fantastikë për të cilët do të jem gjithmonë mirënjohës. Dua t’i falënderoj të gjithë, si dhe të gjithë trajnerët që më shtynë dhe besuan tek unë për të ndihmuar ekipin. Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm dhe kam shijuar çdo moment.
Tifozëve belgë, ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë ekipit tonë. Jam krenar që kam përfaqësuar vendin tim në katër Kupa Bote dhe tre Kampionate Evropiane. Nuk do t’i harroj kurrë ato momente. Jam i qetë me vendimin tim për të qëndruar këtu. Ishte e pabesueshme. Ishte e këndshme. Jam mirënjohës. Faleminderit”, shkruan Lukaku.