
Transferimi i papritur i Erion Veliajt rreth 10 ditë më parë, në burgun e Fierit, shkaktoi një tërmet politik.
Drejtoria e Burgjeve u shpreh se transferimi i tij ishte "sekret shtetëror" dhe nuk dha shpjegim.
Pyetjeve për transferimin e Veliajt, drejtoresha e Burgjeve Sadleva Bodo, nuk i shpëtoi as në Komisionin e Ligjeve, ku ndodhej për të diskutuar mbi buxhetin e vitit të ardhshëm.
Ajo është pyetur nga deputeti Erald Kapri lidhur me transferimin dhe procedurat e ndjekura për këtë rast që kanë ngritur shumë pikëpyetje.
Teksa i sugjeroi deputetit që të paraqesë kërkesë zyrtare për të marrë përgjigje të plota për pyetjet, Bode theksoi se transferimi i të burgosurve është një procedurë që kryhet në bazë të kompetencave ligjore të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Ajo tha më tej se vetëm të premten ka firmosur 93 urdhra transferimi të të dënuarve, për arsye të ndryshme.
“Po e filloj nga fundi, në lidhje me pyetjen e fundit, ju mund të drejtoheni me kërkesë zyrtare që të merrni të gjitha pikat e pyetjes tuaj në mënyrë shteruese.
Në lidhje me transferimet, dua t’iu them që vetëm të premten kam firmosur 93 urdhra transferimi për arsye të caktuara të parashikon ligji.
Çdo urdhër transferimi është kompetencë e autorizuar nga ligji për drejtorin e përgjithshëm të burgjeve”, u shpreh ajo, gjatë raportimit të saj para deputetëve.