Vrasjet që tronditën vendin në 2005-ën, SPAK kërkon 175 vite burg për Emiljano Shullazin, Lul Berishën dhe 5 të tjerë

9 Nëntor 2026, 10:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vrasjet që tronditën vendin në 2005-ën, SPAK kërkon 175
Emiljano Shullazi dhe Lulzim Berisha

SPAK ka dhënë pretencën për dosjen e vrasjeve të Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut në vitin 2005, duke kërkuar nga 25 vjet burg për Emiljano Shullazin, Viktor Bajraktarin (Imeraj), Indrit Taullain, Lulzim Berishën, Plaurent Dervishajn dhe Indrit Rusin.

Për Luftar Reçin, Prokuroria e Posaçme kërkon 8 vjet burg, për shkak të statusit të tij si bashkëpunëtor i drejtësisë.

Dosja në fjalë lidhet me dy vrasje të bujshme të ndodhura në vitin 2005, të cilat për vite me radhë mbetën pa një zbardhje të plotë.

Vrasjet ndodhën brenda një harku kohor prej më pak se 24 orësh, në datat 26 dhe 27 shkurt 2005. Fillimisht u vra Klodian Saliu, në një atentat të organizuar në aksin Durrës-Tiranë, ndërsa një ditë më pas, në Tiranë, një shpërthim me eksploziv në ashensorin e pallatit ku banonte Vajdin Lamaj i mori jetën këtij të fundit dhe mikut të tij, Artan Arsit. Në një tjetër ngjarje të lidhur me atentatet u vra edhe Osman Truma.

Për shumë vite, këto ngjarje mbetën pa autorë të identifikuar dhe hetimet nuk arritën të zbardhnin plotësisht mekanizmin e tyre. Rihapja e çështjes nga SPAK në vitin 2020 dhe dëshmia e Luftar Reçit, i cili vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, sollën zhvillime të rëndësishme në hetim.

Reçi, i përfshirë vetë në ngjarjet kriminale sipas akuzës, ka dhënë dëshmi mbi mënyrën e organizimit të atentateve dhe rolin që dyshohet se kanë pasur personat e përfshirë. Sipas dëshmisë së tij, vrasja e Klodian Saliut dhe ajo e Vajdin Lamajt ishin pjesë e një marrëveshjeje kriminale mes personave të lidhur me grupet kriminale të asaj kohe.

 

 

 


Video