Partia Demokratike ka publikuar draftin e miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar lidhur me rregulloren e primareve për përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhjet vendore 2023 nëpërmjet primareve.
Ndryshe nga primaret e kaluara, këtë radhë do të votojnë jo vetëm anëtarët e saj, por edhe simpatizantët apo qytytarët e thjeshtë.
Procesit të seleksionimit dhe përzgjedhjes paraprake nuk i nënshtrohen deputetët e Partisë Demokratike dhe kryetarët e bashkive në detyrë. Ata kualifikohen drejtpërsëdrejti për të garuar në primare.
Kandidati shpallet fitues vetëm nëse merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar. Në rast se asnjë nga kandidatet nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short.







