Deputetët e Partisë Socialiste kanë miratuar sot në Komisionin e Ligjeve projektligjin e qeverisë për legalizimin e kanabisit, teksa anëtarët e opozitës nuk kanë qenë të pranishëm.
Drafti ka kaluar me shumicën e votave të socialistëve, megjithatë deputetët Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj kanë vendosur ta abstenojnë.
Drafti është votuar me urgjencë gjatë kohës që në parlament po zhvilloheshin debate të forta për arrestimin e Arben Ahmetajt. Ka qenë ky moment kur kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka ka thirrur mbledhjen për votimin e projektligjit.
Mbledhja ka zgjatur vetëm pak minuta dhe nuk ka patur diskutime, ndërsa projektligji ka marrë 13 vota pro.
Legalizimi i kanabisit për përdorim mjekësor mori “ok” nga Këshilli i Ministrave pas një sondazhi që realizoi vetë qeveria Rama, ku qytetarët pyeteshin nëse ishin pro apo kundër. Sipas rezultatit të këtij sondazhi, mbi 50% e të anketuarve e mëbshtesnin këtë nismë.