Kryeministri Rama nuk e kurseu ironinë ndaj atyre që protestuan deri më tani kundër ndërtimit të HEC-eve në lumen Vjosa dhe shpalljes së lumit park kombëtar. Rama tha se këta që kërkonin Vjosën të egër, në fakt i kishin zbutur të gjithë lumenjtë e tjerë të Europës duke ndërtuar HEC-e mbi to.
“Kur na thonë që ky është lumi i fundit i egër në Europë, harrojnë që lumenjtë e tjerë të egër i kanë zbutur dhe këtu e duan të egër. Ne nuk jemi kundër pasi këtë që po e bëjmë e bëjmë sepse mendojmë se është e ardhmja.
Për këta që e duan Vjosën të egër s’mund të ndërtojmë një rezervat me njreëz të egër për t’ja përshtatur kënaqësisë së tyre për një lum të egër në Europë, por ta kthejmë në një hapësirë që mbron mjedisin dhe ushqen gjeneratat që do t’ja lem Vjosën atyre që do t'ja lëmë trashegimi”, tha Rama gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me organizatën “Patagonia”.
Sipas Ramës, në Vjosë ishte planifikuar të ndërtoheshin hiodrocentrale.
“Ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje. Ky është fakt i shkruar. Ishin planifikuar që të ndërtoheshin hidrocentrale. 12 vetëm në Valbonë ishin parashikuar. E njëjta gjë ishte dhe me Vjosën. Ne e kthyem në zonë të mbrojtur për të mos lejuar dëmtimin e saj. Ia futëm në vesh të gjithë atyre që se dinin ku ishte Vjosa për të vijuar me një terror artikujsh me artikuj të pavërtetë. Kjo është histori, jemi këtu për të kaluar në një fazë tjetër, nga zona e mbrojtur në parkun kombëtar që do të jetë boshti i kësaj hapësire.
Siç e kemi diskutuar dhe me partnerët tanë. Në vizionin e Shqipërisë, moratoriumi i pyjeve, i prurjeve masive të pyjeve kanë filluar tani të japin rezultatet e para. Do të vazhdojmë me moratoriumet, pasi është domosdoshmëri dhe faktet kanë treguar se ndalimi i prerjes masive të pyjeve apo i vrasjes masive të kafshëve dhe shpendëve s’na ka sjellë ndonjë dëm ekonomik. Natyrisht gjatë këtyre viteve kanë vazhduar të vriten pemë, kanë vazhduar të vriten edhe kafshë. Të dyja kanë ndodhur në përmasa të atilla që janë të papërfillshme. Zona që do të mbulojë parku kombëtar, është zonë shumë e madhe.
Është parku më i madh i Shqipërisë. Na vë para detyrimit për të ndërtuar një ngrehinë institucionale dhe për të rijetëzuar institucionet që kanë veprimtari që ndërthuren me gjithçka ka me përmbajtjen e parkut, që do të kërkojë kapacitete të larta njerëzore, profesionale dhe eksperiencë të madhe. Këtu bëhet e vlefshme marrëdhënia jonë me organizatën. Kam besim se do të mund të tërheqim edhe të tjerë për të mbështetur këtë proces. Për shkak se ky është një park kompleks, kemi marrë një ekspertizë ndërkombëtare, përveç asaj të brendshme në mënyrë të tillë që standardet të jenë ndërkombëtare.
Të jemi të qartë se kur flasim për park kombëtar, marrim përsipër ndalimin kategorik të çdo biznesi apo veprimtarie ekonomike që mund të cënojë trupin e lumit dhe krahët e tij. Duke shpallur Vjosën Park Kombëtar do të kemi përfitime ekonomike”, tha Rama.