
Sali Berisha, dy ditë më parë, the me krenari se në kohën kur ka qenë kryeministër kishte refuzuar ofertën e kompanisë së gazit rus Gazprom duke pranuar që TAP të kalonte në Shqipëri.
Sipas Berishës, Gazprom i kishte tentuar ta korruptonte, duke i ofruar shuma përrallore parash që të mos e lejonte që TAP të kalonte në territorin e Shqipërisë dhe se falë këmbënguljes së tij kishte insistuar një linjë gazi e cila eliminonte Rusinë.
Por një kronikë lajmesh në vitin 2006 tregon qartësisht përpjekjet e Berishës që gjiganti rus i gazit Gazprom të investonte në vendin tonë.
Në atë kohë Berisha dërgoi në Moskë Ministrin e Jashtëm, Besnik Mustafai, ku zhvilloi një takim me drejtorin ekzekutiv të Gazprom, Aleksandër Miler për të arritur një marrëveshje.
Ndërkohë në kronikë dëgjohet Mustafai, teksa thotë: "Qeveria shqiptare paraardhëse ka bërë trataiva që në 2004, por Gazprom nuk ka shfaqur interes. Unë nga takimi me zotin Miler dola me pohimin se Gazprom interesohet për Shqipërinë, do vijë shpejt me një mision eksplorues për të parë, por vendimi për t'u shtrirë drejt Shqipërisë është gati në të dy aspektet qoftë në prurjen e terminalit për t'u përdorur në Shqipëri gazi, po ashtu edhe evantualitetit e një tranzitimi drejt Italisë të një sasie të jashtëzakonshme që është në interesin e ekonomisë shqiptare".