“Marrëveshja Itali-Shqipëri është pjesë e rëndësishme në strategjinë e përgjithshme të qeverisë, në kontekstin ndërkombëtar të paqëndrueshmërisë në rritje, i cili rrezikon rritjen e flukseve migratore dhe tregun e urryer të trafikantëve, një treg që vazhdon të përfitojë nga dëshpërimi dhe të kërkojë viktima, siç ishte edhe mbytja e anijes në Lampedusa”, deklaroi sot ministri i Jashtëm, Antonio Tajani në parlamentin italian.
Tajani tha se kjo marrëveshje nuk krahasohej me atë të arritur mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës.
”Memorandumi i mirëkuptimit mes dy vendeve nuk është i krahasueshëm me marrëveshjen mes Britanisë së Madhe dhe Ruandës. Nuk ka kontraktim të jashtëm të menaxhimit të kërkesave për azil në një vend të tretë, ndërkohë që nuk ka asnjë shmangie nga të drejtat e garantuara ndërkombëtarisht”, theksoi Tajani.
Ai bëri me dije se Italia synon “një qasje të ndryshme në menaxhimin e flukseve migratore dhe një luftë këmbëngulëse kundër trafikimit të qenieve njerëzore janë prioritetet absolute të qeverisë sonë”.
“Parandalimi i largimeve të parregullta, forcimi i kufijve të jashtëm, luftimi i kontrabandistëve, përmirësimi i sistemit të riatdhesimit, zgjerimi i kanaleve legale të migracionit, mirëpritja e atyre me të drejtën e mbrojtjes ndërkombëtare: këta janë përbërësit kryesorë të qasjes së re që ne po përpiqemi të vendosim në Europë”, shtoi ministri dhe theksoi se “në këtë kuadër futet edhe protokolli i bashkëpunimit me Shqipërinë”.
Jo më shumë se 3 mijë emigrantë në të njëjtën kohë
“Protokolli” – sqaroi Tajani – “përcakton se në të dy qendrat nuk mund të ketë gjithsej më shumë se 3000 emigrantë në të njëjtën kohë”.
“Emigrantët do të mund të mbërrijnë në portin shqiptar vetëm me anije të autoriteteve italiane, të përfshira në operacionet e shpëtimit. Nuk do të jetë e mundur të tërhiqen skafet e kontrabandistëve dhe as të drejtohen varkat e menaxhuara nga organizata joqeveritare drejt Shqipërisë. Emigrantët do të kenë saktësisht të njëjtin trajtim të parashikuar nga rregulloret italiane dhe evropiane”.
Sipas Tajanit, Shqipëria është një “vend mik dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një vend që ne do të vazhdojmë ta mbështesim në aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.
Në dy qendrat në Shqipëri do zbatohen standardet e BE-së
Shqipëria – vijoi Tajani – do t’i japë Italisë dy zona pa pagesë – një pikë mbërritjeje në portin e Shëngjinit, në bregdetin verior të vendit dhe një bazë ushtarake në Gjadër rreth 30 kilometra larg portit.
“Të dy qendrat do të funksionojnë sipas legjislacionit italian, evropian dhe ndërkombëtar për këtë çështje. Procedurat do të jenë ato italiane dhe do të kryhen ekskluzivisht nga autoritetet administrative dhe gjyqësore italiane”.
Në port – sqaroi ministri – do të ketë një strukturë të dedikuar për aktivitetet e shpëtimit, ndihmën e parë dhe zbulimin e shenjave dhe gjurmëve të gishtërinjve.
“Në strukturën e dytë, që ndodhet në zonën e brendshme, do të shqyrtohet kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare dhe për ata që nuk plotësojnë kërkesat do të kryhen procedurat e riatdhesimit”.