Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur sot për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit të ri. Emri që do të miratohet në Kryesinë e PS-së do të dërgohet për votim në Kuvend. Për të mos dalë asnjë informacion për mediat mbi emrin e ri e kandidat për President, kryetari i PS-së, Edi Rama, iu ka kërkuar anëtarëve të kryesisë socialiste që në nisje të mbledhjes që të fikin celularët. Anëtarët e kryesisë i kanë dorëzuar celularët e tyre në sekretarinë e selisë rozë.
Nesër në orën 18:00 Parlamenti zhvillon raundin e katërt për zgjedhjen e presidentit.
Pas dështimit të tre raundeve të para ku Presidenti zgjidhej me 84 vota, në raundin e katërt do të mjaftojnë 71 vota. Mandati i Presidentit aktual, Ilir Meta përfundon më 24 korrik.