Konferenca e Kryetarëve ka miratuar ditën e sotme kërkesën e opozitës për të zhvilluar në Kuvend një mocion me debat me kryeministrin Edi Rama për skandalin "McGonigal".
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi se ka propozuar që debati të zhvillohet për 12 orë, por data se kur do të zhvillohet nuk është caktuar ende.
"Përshëndes deputetët kërkues që e kanë mirëkuptuar kushtin tonë të vetëm që nëse është firma e Berishës nuk pranohet. Fakti që e kanë tërhequr tregon që kanë reflektuar me kushtin. Mocioni me debat do zhvillohet, mbetet të përcaktojmë në ditët në vijim me kryetarët e grupeve si e përcakton rregullorja e kuvendit.
Se kishte dhe një element qesharak që thoshte të zhvillohet pa limit mocioni me debat pra të nisë në shkurt e të përfundojë në dhjetor. Konferenca e kryetarëve do përcaktojë kohën saktë e kur. Po e solle pa firmën e Berishës kërkesa miratohet dhe u miratua, tani mbetet të përcaktojmë sa i gjatë do jetë debati. Propozova 12 orë debat, nga ora 10:00 të 22:00. Të ketë nga 5 minuta kohë çdo deputet të flasë.
A do jetë Rama? Rrini të qetë nuk ka asnjë merak kryeministri, Rama për të kthyer përgjigje për një cështje që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë megjithatë ne mezi e kemi pritur e mezi e presim ta zhvillojmë këtë debat. Shpresoj që opozita të bjerë dakord nëse realisht, por keni për ta parë nëse realisht duan të bëjnë debat por do vijnë do thonë na keni ndryshuar thlebin, nuk na dalin 700 minuta, por duam më shumë i dini këto historitë." deklaroi Balla.
Në lidhje me kërkesën e opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për skandalin "McGonigal", Balla deklaroi se kërkesa do të shqyrtohet pasi të ndryshohet ligji për Komisionet Hetimore. Ndër të tjera, ai pretendon dhe se disa firma të deputetëve janë të falsifikuara.
“Kemi diskutuar në konferencën e kryetarëve, që për pasojë të kërkesave të ardhura nga deputetë e opozitës parlamentare për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore, nevojën e implementimit të 6 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për këtë ccështje kemi vendosur dhe më pas votuar në seancë me 23 janar një komision të posaçëm parlamentar për ndryshimin e ligjit. Ndaj po them se kërkesa nuk është marrë fare në shqyrtim por në respekt të kërkuesve kemi kërkuar që ky shqyrtimi i kërkesës të bëhet pasi të bëhen ndryshimet ligjore.
Që të guxojnë deputetë që nga SHBA-të ku ndodhen për qejf apo për vizitë të firmosin kërkesa që depozitohen në Kuvend, që të ketë deputetë që në një shkresë të kenë një firmë dhe nënshkrim dhe në një shkresë tjetër nënshkrim dhe firmë tjetër, që Kuvendi të mos investohet në një kallëzim për falsifikim ta tërheqin kërkesën ose të paktën firmat. Ata kanë edhe një vrap se kush e depoziton i pari. S’ka pasur ndonjëherë situatë më qesharake që dy grupe të opozitës turren me vrap kush do ta dorëzojë i pari kërkesën”, tha Balla.