Erion Braçe e thotë troç: Në SPAK janë devijuar hetimet për inceneratorët, kanë shpëtuar Ahmetajn

6 February 2023, 17:51Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erion Braçe e thotë troç: Në SPAK janë devijuar
Erion Braçe

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka folur në lidhje me hetimet për inceneratorët, ku pavarësisht provave të dala për Arben Ahmetajn, ndaj tij nuk ka asnjë nisje hetimi apo marrjen si i pandehur.

Në emisionin "Zona Zero" në Top News, Braçe deklaroi se nuk duhet të jenë politikanët që të bëjnë kallëzime në SPAK, por ata duhet të jenë në hetim të drejtësisë, duke iu referuar në këtë rast kallëzimeve të LSI-së.

Ai i konsideroi si të devijuara hetimet për inceneratorët, ku kallëzuesit kanë dashur të shpëtojnë veten e tyre. Sipas Braçes, kush po devijon hetimet, po pengon hetimet dhe duhet të mbajë përgjegjësi. 

Ndër të tjera, ai deklaroi se inceneratori i Fierit dhe Elbasanit po mbahen të mbyllur vetëm për shkak të presionit politik.

"Pse prokurorët për një çështje kaq sensitive duhet të marrin kallëzime politike. Ne e bëmë që politikanët të jenë klientë të SPAK-ut. Nuk e bëmë që të jenë politikanët që të vënë në lëvizje prokurorinë, por duhet të jetë e kundërta. Reforma në drejtësi nuk synonte që politikanët të jenë aktorët kryesorë me kallëzime.

Incenerimi ishte zgjidhje e duhur për mbeturinat që kishin pushtuar shumë qytete në Shqipëri. Unë vazhdoj të mendoj se ne duhet të fokusohemi në ndarjen e mbetjeve. A janë ndërtuar vepra? Po. Kam parë inceneratorin e Fierit, është super investim. Jam i keqardhur që inceneratori i Fierit nuk vihet në punë për shkak të presionit dhe akuzave politike. Kush duhet të mbajë përgjegjësi le të mabjë, por ne nuk duhet të bllokojmë një vepër. Është e tmerrshme që vazhdon të jetë i bllokuar. Kallëzimi vlen, por kallëzimi që devijon hetimin quhet pengim i drejtësisë.

Kush po i devijon hetimet? Ata politikanë që shihni aty që bëjnë sikur dinë shumë. Politikanët kanë marrë zemër më shumë se sa prokurorët, në një Prokurori ku duhet të flasin vetëm prokurorët dhe faktet. Po bëjnë edhe pengimin e drejtësisë për sa kohë po mundohen të bëjnë edhe devijim të hetimeve. Nëse këta politikanë pëngojnë hetimit, apo devijojnë hetimin, duhet të mbajnë përgjegjësi.

Nuk flet askush se ku ra sistemi i drejtësisë që të mos bëhet më. Nuk është problemi që të futen njerëz në burg, por sistemi i hetimeve. Njerëz janë futur në burg, por korrupsioni është ende aty. Duhet të shihet sistemi. Politikanët kur duan të përjashtojnë veten e tyre dhe ta mbajnë veten e tyre jashtë një kallëzimi, duhet të ketë dhe një përgjegjësi për ata që pengojnë dhe devijojnë hetimin." deklaroi Erion Braçe.


Video