"S'ka din, iman, fe e atdhe që i frenon", Rama sulmon ashpër gjykatësit e prokurorët që lënë të lirë zjarrvënësit: Të mbikëqyret veprimtaria e tyre

31 July 2023, 17:02Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"S'ka din, iman, fe e atdhe që i frenon", Rama sulmon
Kryeministri Edi Rama


Kryeministri Edi Rama thotë se 55 raste të zjarrvënieve janë zbardhur gjatë këtij viti, ndërsa janë proceduar penalisht 62 autorë.

Në një postim në rrjetet sociale ku përgëzon policinë, Rama nuk kursen sulmet ndaj prokurorëve, qasjen e të cilëve ndaj zjarrvënësve e quan "skandaloze".

Rama i bën thirrje organeve të inspektimit të drejtësisë të monitorojnë veprimtarinë e këtyre prokurorëve dhe gjykatësve.

"U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë", shkruan Rama.

Reagimi i plotë:

Policia e Shtetit po bën një punë të admirueshme për zbulimin dhe kapjen e autorëve të krimit të tmerrshëm të zjarrvënies në pyje, ullishta e zona të gjelbërta

Në 79 raste zjarrëvënieje gjatë këtij viti janë zbardhur 55, me 62 autorë të proceduar penalisht

20 zjarrvënës janë në arrest me burg, ndërsa të tjerët ndiqen në gjendje të lirë, por ende mungon ndëshkueshmëria e plotë, si pasojë e qasjes skandaloze dhe paturpësisht të papërgjegjshme të disa prokurorëve e gjykatësve nëpër rrethe, të cilët mesa duket s’ka atdhe, s’ka fe, s’ka din e as iman, që i frenon në krimin e tyre të indiferencës antiligjore ndaj një krimi si zjarrvënia mbi një pasuri kaq të vyer, që është e të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, po edhe e mbarë njerëzimit

Me ndryshimet që i kemi bërë vitet e fundit Kodit Penal, zjarrvënia e pyjeve dënohet deri në 15 vjet burg dhe në tasin e kësaj fare të keqe prokurorësh pa atdhe, ka deri edhe disa syresh që gjatë viteve të shkuara kanë shpallur deri mosfillimin fare të çështjes penale për zjarrëvënësit

U bëj apel organeve të inspektimit të drejtësisë dhe mbikqyrjes së veprimtarisë së prokurorëve e gjykatësve, që të mos bëjnë sehir karshi këtyre individëve të padenjë për t’i shërbyer ligjit të Republikës së Shqipërisë

U bëj gjithashtu apel prokurorëve dhe gjykatësve që kanë në duar rastet e lartpërmendura, që të zbatojnë rreptësisht ligjin dhe t’i dalin për Zot kësaj pasurie të vënë në breza, e cila u takon brezave të ardhshëm, po edhe krejt njerëzimit


Video