“Rrezikojmë një regjim putinist”, Agron Duka kërkon bashkimin e opozitës

7 March 2022, 19:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Rrezikojmë një regjim putinist”, Agron Duka kërkon

Kryetari i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, duke marrë shkas nga humbja e thellë e opozitës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ka kërkuar bashkimin e opozitës. Ai thotë se forcimi i një aktori politik të vetëm “rrezikon të çojë Shqipërinë drejt një regjimi putinist”.

“Zgjedhjet e pjesshme vendore u përmbyllën dhe ne kemi mundësi ta analizojmë më ftohtë situatën politike në të cilën u zhvilluan dhe situatën që ato prodhuan.

Edhe pse të pjesshme dhe vendore, ato kishin një natyrë të pastër politike, për shkak të një gare të fortë mes dy grupimeve në Partisë Demokratike. Partia Agrare Ambientaliste, shikon me shqetësim regresin e politikës në tërësi, që u demonstrua me një pjesëmarrje shumë të ulët të votuesve në zgjedhje, që dëshmon mungesë besimi dhe shprese. Gjithashtu, ne shikojmë me shqetësim regresin e opozitarizmit dhe forcimin e një aktori politik të vetëm, që rrezikon të çojë Shqipërinë drejt një regjimi putinist.

Ne çmojmë nevojën urgjente të riorganizimit të opozitës, si një aktor i rëndësishëm i demokracisë dhe garancisë për një qeverisje më të mirë.

Për këtë arsye PAA do të mbështesë dhe nxisë çdo përpjekje që do të synojë grupimin dhe bashkimin e forcave opozitare, për të prodhuar një alternativë dhe një ofertë qeverisë të besueshme për qytetarët, në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe të përgjithshme”, deklaroi Duka.

 


Video