
Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK gjyqtarin Agron Zhukri me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Sipas, padisë së depozituar nga Gazment Bardhi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Zhukri ka ‘shpërdoruar detyrën’.
Në kallëzim, PD pretendon se gjyqtari Zhukri duhej të kishte pritur zbardhjen e vendimit të gjyqtares Blerina Muça, që ka regjistruar statutin e 17 korrikut 2021.
“Gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore. “Më 23 Mars, ai caktoi seancën në mënyrë të pashpjegueshme, megjithëse vendimi i gjyqtares tjetër për regjistrimin e ndryshimeve statutore nuk është zbardhur dhe nuk na është komunikuar”, thuhet në kallëzimin e PD.
PD vë në dijeni SPAK se e ka ankimuar vendimin, duke qenë se gjykata nuk është shprehur për të gjitha kërkesat e saj. Për shkak të ankimimit, sipas PD, në Regjistrin e Partive Politike nuk janë pasqyruar ndryshimet statutore të 17 korrikut.
“PD i kërkon SPAK-it të administrojë kamerat e gjykatës, ku shihet qartë takimi i gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e atij që njihet si Komisioni i Rithemelimit. PD sqaron se gjyqtari Zhukri e ka caktuar seancën pas këtij takimi”, thuhe në kallëzim.

Në kallëzimin penal, PD sqaron se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë, megjithëse gjykata ka administruar kërkesat e PD përmes të cilave gjyqtari Zhukri është vënë në dijeni se kërkesa që ai kishte për të shqyrtuar ishte në kundërshtim me ligjin për partitë politike, sipas Bardhit.
“Mosthirrja e PD si palë e tretë, me interesa të ligjshme në proces, cenon rëndë detyrimet ligjore dhe është bërë me qëllimin për të marrë një vendim në fshehtësi dhe për të favorizuar një palë, që ai vetë ka pranuar se ka lidhje”, thuhet në kallëzimin e PD.
Më kallëzim theksohet se gjyqtari Agron Zhukri ka shkelur rëndë ligjin duke marrë një vendim pa pasur më parë një vendim të formës së prerë për pasqyrimin e ndryshimeve statutore të 17 korrikut.
“Pa patur vendimin e zbardhur për këto ndryshime, gjyqtari Zhukri e ka patur të pamundur të shohë përputhshmërinë e akteve të 11 dhjetorit me statutin e 17 Korrikut, ku bazohet edhe kërkesa e palës tjetër për 11 dhjetorin”, thotë PD.