Sali Berisha ka konfirmuar sot se do të jetë pjesë e garës për kreun e PD. Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se ai fton cilindo të interesuar t'i bashkohet garës, duke theksuar se ajo do të jetë më e hapura ndonjëherë.
"Unë do të jem në garë të hapur dhe ftoj cilindo koleg deputet jo deputet që dëshiron të garojë se është i mirëpritur në një garë të hapur e të ndershme. I ftoj ata që kanë ndërmend të garojnë të krijojnë ekipin dhe të përcaktojnë çfarë rregullash duan dhe i garantoj që do jetë gara më e hapur ndonjëherë. Por të themi që nuk vendos Sali Berisha për veten e tij, vendosi 6 marsi, vendosën një lëvizje që filloi unike në llojin e saj ku Anëtarësi merr në dorë fatin e partisë dhe anëtarësia ka në dorë dhe fatin tim", tha ai.
Kujtojmë se gjykata e Tiranës regjistron ndryshimet e Berishës në Statutin e Partisë Demokratike, të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Sipas këtij vendimi tashmë Komisioni i Rithemelimit i Sali Berishës mund të drejtojë Partinë Demokratike.
Në Kuvendin e 11 dhjetorit u vendos referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, shkarkimi i nënkryetarëve, Sekretarit të Përgjithshëm, Kryesisë dhe të gjitha strukturave drejtuese.