Rama reagon pas heqjes së barrikadave: Shfaqja zgjati ca më shumë, fundi qe i njëjtë. Të gjithë u kthyen në shtëpi me fitoren e vet

29 December 2022, 17:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama reagon pas heqjes së barrikadave: Shfaqja zgjati ca më
Kryeministri Edi Rama dhe barrikada në Veri të Kosovës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas heqjes së barrikadave nga ana e serbëve në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, kreu i qeverisë shprehet se nuk ka asgjë e re nga kjo shfaqje dhe se fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë.

Rama shton më tej me nota ironie se “barrikadat” u përdorën duke i cilësuar si mjete paqësore me bekimin e SHBA dhe BE.

“Asgjë e re, shfaqja zgjati ca më shumë, tensioni u ngrit ca më lart, fjalët u këmbyen me ca më shumë zjarr, manovrat ushtarake patën ca më shumë hov, po fundi qe po i njëjti dhe të gjithë u kthyen në shtëpi, sekush me fitoren e vet me vete si gjithmonë!

Ah po, diçka e padëgjuar ndodhi! Doli kuptimi i ri i barrikadës, e cila pas 434 vjetësh hyri në listën e mjeteve të protestës paqësore me bekimin e BE dhe të SHBA! Shpresojmë në mirëkuptimin e aleatëve tanë strategjikë për të mos qenë dakord në këtë pikë. Po fare!

Pyetja mbeti po ajo që ishte përpara këtyre barrikadave paqësore e deklaratave armiqësore! Dhe deri kur përgjigjet e ndryshme të nisen po njësoj nga e shkuara, pyetja do të mbetet po aty edhe pas shfaqjes së rradhës, kur barrikadat të thyejnë paqësisht monotoninë e hiçzgjidhjes!”- shkruan Rama.  


Video