Rama kundër ambasadës ruse: Ikët se i vumë emrin rrugës "Ukraina e Lirë", Veliaj do ua çojë sërish atje

23 September 2022, 21:33Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama kundër ambasadës ruse: Ikët se i vumë emrin rrugës
Edi Rama

Ambasada e Rusisë në Tiranë sqaroi pak ditë më parë se zhvendosja e selisë në Mjull Bathore në rrugën “Dervish Shaba” nuk ndodhi për shkak se rruga ku ndodhej ndërtesa e parë u emërtua "Ukraina e Lirë", por shtonte se ndërtesa e re e ambasadës u hap në prani të mediave që në shtator 2019, por zhvendosja e plotë u mundësua vetëm në qershor 2022 për shkak të vonesës së punimeve ndërtimore në periudhën e pandemisë.

Gjithsesi, duket se ky arsyetim nuk e ka bindur kryeministrin Edi Rama, i cili beson ende se zhvendosja e ambasadës ruse është bërë për shkak të emërtimit të rrugës "Ukraina e Lirë". 

Në intervistën në një radio britanike, me gazetarët Alaister Campbell dhe Rory Stewart, Rama tha se kryebashkiaku i Tiranës, Erion veliaj ka ndërmend që pas zhvendosjes së ambasadës të zhvendosë edhe emrin e rrugës pranë përfaqësisë diplomatike të Rusisë në Shqipëri.

“Nuk kemi prani ruse në asnjë formë a mënyrë, përveç një ambasade, e cila e ka zhvendosur së fundmi selinë e saj, për arsye se rrugën ku gjendej ambasada ruse ne e emërtuam me emrin “Ukraina e Lirë”  dhe për këtë arsye u zhvendosën në një adresë tjetër. Kam marrë vesh tani se kryetari i Bashkisë së Tiranës ka ndërmend ta zhvendosë sërish emërtimin pranë selisë së re të ambasadës së tyre. Kështu që le të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Rama.

Me një vendim unanim pak muaj më parë Këshilli Bashkiak i kryeqytetit emëroi "Ukraina e Lirë” rrugën para ish-ambasadës ruse, ku ndodhen edhe ambasadat e Ukrainës, Kosovës dhe e Serbisë.


Video