Rrjeti po zien dy ditët e fundit për mbylljen me vendim të Qeverisë të një shkolle dhe të një kopshti të rrjetit arsimor "Turgut Ozal" të financuar nga filantropi turk Fet'hullah Gylen, vendime të ardhura pas kërkesave të presidentit turk Recept Tayyip Erdogan.
Por, teksa nuk ka reaguar ende për mbylljen e shkollave, shefja e diplomacisë amerikane në Shqipëri ka shkuar sot në selinë e Partisë së Lirisë, ish LSI-ja për të zhvilluar një takim me Ilir Metën, me të cilin dikur përplasja arriti kulmin me kërcënime ndaj njëri-tjetrit, para zgjedhjeve të 25 Prillit. Lajmin e ka bërë me dije vetë Ilir Meta përmes një postimi në rrjetet sociale.
"Sot mirëprita në selinë e Partisë së Lirisë Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yuri Kim. Ishte kënaqësi të diskutonim hapur dhe në mënyrë konstruktive mbi bashkëpunimin e Partisë së Lirisë me SHBA, në interes të forcimit dhe intensifikimit të partneritetit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA, përmbushjes të detyrimeve tona si vend anëtar i NATO-s, si dhe reformave prioritare të përshpejtimit të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE." shkruan Meta.