Kryeministri Edi Rama thotë se prokurori i SPAK ka intimiduar persona gjatë hetimeve për kryebashkiakun Erion Veliaj.
Në një deklaratë për media gjatë një ceremonie, Rama e krahasoi intimidimin që ka bërë prokurori i SPAK, sipas tij, me intimidimin që vetë Ramës i është bërë pas rënies së komunizmit.
Rama tregoi se si u shoqërua nga policia drejt rajonit, ku u mor në pyetje nga një person që kërkonte ta intimidonte duke e bërë të ndihej fajtor.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Sot konstatojmë që jemi në një sfidë të re. Pavarësia e arritur duhet të garantohet nga profesionalizmi, standardet demokratike, prezumimi i pafajësisë nuk është një rresht që shkruhet për të larë gojën në një roman me 400 faqe, ku flitet edhe për persona që nuk kanë shfaqur pendesë. Për çfarë prezumim pafajësie flet ti kur shkruan se “personi nuk ka shfaqur pendesë”.
Kjo ka ndodhur, në një kohë tjetër, kur hetimet bëheshin me direktiva nga Sigurimi i Shtetit, për kriminelë ose njerëz që duhej të nxirreshin patjetër si kriminelë. Jemi në një situatë shumë delikate, jo për ne në aspektin politik, jo në raportin tonë me drejtësinë. Nuk na takon ne të themi nëse Erioni është i fajshëm apo i pafajshëm.
Në procesin e deritanishëm unë jam dëshmitar për intimidimin e personave. Janë intimiduar njerëz që më kanë bërë të mendoj për kohën kur unë jam marrë nga policia, jam çuar në një repart a rajon dhe aty më është folur për turpin që duhet të ndjeja, që po tradhtoja babain. Një njeri në atë hetim i është përmendur i ati që është punonjës në shtet, i është thënë mirë është ta nderosh babain. Ku jemi këtu? Kjo nuk ka lidhje me fajësinë ose pafajësinë e Erionit.