Rama: Hedhja e shifrës 800 mijë euro në mexhelis për fustane e bashkëshortes së Veliajt, e qëllimshme

11 February 2025, 20:53Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama: Hedhja e shifrës 800 mijë euro në mexhelis për fustane
Edi Rama

Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 105-vjetorit të Tiranës si kryeqytet, kryeministri Edi Rama tha se po hetohet jeta private e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pasi nuk ka asnjë akuzë mbi hetimin për korrupsion.

Rama u shpreh se hedhja e shifrës prej mbi 800 mijë euro shpenzime për fustane, është e qëllimshme.

“Për mua ajo që ndodh në udhëkryqet e kanaleve të mbrëmjes është rrugaçëri. Është ngritja e llumit të gojës në piedestal. Është triumf i shpifjeve, shkatërrimit të çdolloj personi për të vetmin faj që bën, që është person publik.

Në ato udhëkryqe, unë i sfidoj që të bëjnë një kërkim dhe ta gjejnë një tjetër forcë politike në Evropën ish-Lindore, në rajon, nuk kanë për ta gjetur dot. Ta gjejmë një forcë politike që në 5 vjet rresht ka qepur gojën dhe ka thënë ‘keni mbështetjen tonë’.

Nëse Erioni dhe e shoqja kanë blerë 800 mijë euro fustane dhe bizhuteri ne nuk kemi çfarë diskutojmë. Por kemi të drejtën të kërkojmë prova. Ne kemi të drejtën të themi që në ndërkohë, hedhja e kësaj shifre në mexhelis është e absolutisht e qëllimshme”, tha Rama.

 

 


Video