Kryeministri Edi Rama përmes një video 3D të projektit të Sheshit të Flamurit në Vlorë, u ka kthyer përgjigje protestuesve që akuzojnë se po fshihet historia.
Rama shkruan në Facebook se Sheshi i Ri i Flamurit do t'i shtojë Vlorës një tjetër pjesë të bukur të mozaikut të Rilindjes së saj Urbane që do të nxjerrë në pah edhe objektet e historisë në atë shesh. Akuzave të 'Foltores' se në Shesh do të ndërtohet terminal autobusësh, Rama i përgjigjet duke thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
"Mirëmëngjes dhe me Sheshin e Ri të Flamurit, i cili do t'i shtojë Vlorës një tjetër pjesë të bukur të mozaikut gjithnjë e më tërheqës të Rilindjes së saj Urbane, ku do të mësyjë gjelbërimi, ku do të dalin në pah me të gjithë shkëlqimin e tyre objektet e historisë në atë shesh, ku një qilim i kuq prej guri do të lidhë monumentin e Pavarësisë me "tempullin" hijezues që do të shërbejë për panaire, ekspozita, shfaqje artistike e të tjera (po vetëm si terminal autobusësh për foltorexhinjtë jo) dhe ku fantazma e ish-hotelit do të kthehet në qendrën më të madhe social - kulturore të vendit për të gjitha moshat, pa harruar aksin e rikonceptuar që lidh edhe varrezat e dëshmorëve me monumentin e Pavarësisë përmes kolonatave të 'tempullit' hijezues, ju uroj një ditë të mbarë", shkruan Rama.
Disa qytetarë në Vlorë janë ngritur në protestë, duke kundërshtuar ndërtimin e Sheshit të ri, pasi sipas tyre projekti po rrënon historinë.