"Presidenti", Gjiknuri: Modeli më i keq pas Berishës është Ilir Meta, duam një si Moisiu

21 May 2022, 18:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Presidenti", Gjiknuri: Modeli më i keq pas Berishës
Meta-Berisha dhe Gjiknuri

Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka folur në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Ai ka shpjeguar se mazhoranca ka detyrë t’i japë shqiptarëve një president i cili është më i mirë se ai aktual.

Sipas Gjiknurit, modeli më i keq pas Berishës është Ilir Meta, teksa tha se ka ardhur koha që të kemi një figurë të ngjashme me Moisiun pa interesa politike.

“Ne kemi një detyrë kushtetuese të bëjmë vendin me një president shumë më të mirë se ai që kemi pasur. Modeli më i keq pas Berishës ka qenë Ilir Meta. Të gjithë presidentët e tjerë kanë qenë më të mirë se këta të dy. Mosiu ishte shumë gjithëpërfshirës, edhe Mejdani, edhe Nishani pavarësisht se ishte partiak u tregua shumë më u kujdesshëm në ekuilibrat politike. Ka ardhur koha të kemi një figurë të ngjashme me Moisiun pa interesa politike. Dua të shoh në Presidencë një njeri që respekton traditat tona, palët politike dhe jep mesazhet e duhura si figurë që u tregon unitetin e kombit. Për mua nuk ka rëndësi nëse është president apo president, kemi mjaftueshëm figura në 2 gjinitë që e bëjnë shumë mirë këtë punë” ka deklaruar ai në News 24.


Video