
“Të dielë të bukur. Mbaje fytyrën nga drita dhe hijet mbeten pas”.
Ky ishte mesazhi i Elisa Spiropalit, ndërsa postoi një foto të sajën, një ditë pasi Edi Rama e sulmoi egërsisht në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Edhe pse tashmë në “luftë” të hapur me kryetarin e partisë, brenda pak orësh, Spiropali ka marrë mijëra pëlqime në Facebook, mbi 6 mijë, çka tregon se përplasja me Ramën, nuk i ka ulur pikët tek socialistët, përkundrazi, e ka bërë atë më të pëlqyer.
Ato pëlqime, që sigurisht janë nga socialistët, se nuk mund të mendohet që është bërë papritur e dashur për demokratët Spiropali, janë një mesazh për Edi Ramën.
Një mesazh nga socialistët e zhgënjyer nga vetë kryetari i partisë së tyre, që muajt e fundit më shumë ka menduar s’i të punësojë demokratët, madje edhe në poste të rëndësishme, se sa të merret me shqetësimet e tyre.
Arroganca e Ramës ka qenë e njohur, por flirtimi me demokratët, rritja e çmimeve, korrupsioni qeveritar dhe sfida e hapur që po i bëhet drejtësisë, si me rastin Balluku, natyrisht që nuk mund t’i lërë indiferent socialistët.
Dhe Spiropali, edhe pse vështirë se mund të mendohet si antagoniste e mundshme e Ramës, shihet si ajo ku mund të “shfryjnë” pakënaqësinë ndaj partisë dhe kryetaret të tyre.
Qoftë dhe me pëlqime në FB.
Për momentin aq kanë në dorë, sepse njësoj si PD, PS është kthyer në një shkretëtirë mendimi dhe kundërshtimi, ku dëgjohet veçse zëri i Edi Ramës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016