Partia Demokratike do të bojkotojë seancën e betimit të Bajram Begajt si President i ri i vendit.
Është e paqartë nëse grupi parlamentar demokrat do të jetë i unifikuar në këtë qëndrim, apo bojkoti do të mbahet vetëm nga grupi i deputetëve që mbështesin Sali Berishën.
Ky i fundit e ka cilësuar antikushtetuese zgjedhjen e Bajram Begajt, pasi në momentin që u votua në Kuvend kishte ende statusin dhe gradën e ushtarakut. Berisha i bëri thirrje Ilir Metës në ato ditë që të mos dekretonte dorëheqjen e Begajt nga gradat e ushtrisë.
Me këtë qëndrim, sipas ABC, PD nuk do të marrë pjesë në seancën plenare të betimit të Begajt që mbahet në orën 18:00.
Pas seancës, Begaj do të niset drejtë godinës së Presidencës. Atje Ilir Meta do ta presë përmes një ceremonie shtetërore për t’i dorëzuar zyrtarisht detyrën. Tekstin e betimit në Presidencë, Begajt do t’ia lexojë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj. Pas marrjes së mandatit, Begaj do të përshëndes Metën, duke nisur një cikël të ri në karrierën e tij, këtë herë si kryetar i Shtetit shqiptar.
Bajram Begaj u zgjodh presidenti i ri i Shqipërisë në qershor me 78 vota.