
Steve Bannon, një prej bashkëpunëtorëve kryesorë të ish-Presidentit Donald Trump dhe një figurë me ndikim në të djathtën amerikane, u dënua të premten për shpërfillje të Kongresit, pas kundërshtimit nga ana e tij, të një thirrjeje zyrtare për të dëshmuar, të bërë nga komisioni që po heton rreth sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit më 6 janar të vitit 2021.
Ky zhvillim shihet një fitore e madhe për komisionin e udhëhequr nga demokratët.
Juria e shpalli Bannon, 68 vjeç, fajtor për dy akuza për refuzim të dhënies së dëshmisë ose të dorëzimit të dokumenteve në komisionin e përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve.
Çdo shkelje për shpërfillje të Kongresit dënohet me 30 ditë deri në një vit burg, si dhe me gjobë nga 100 deri në 100,000 dollarë.
Bannon ishte një prej këshilltarëve kyç të fushatës presidenciale të republikanit Donald Trump në vitin 2016. Më pas ai shërbeu në Shtëpinë e Bardhë gjatë vitit 2017 dhe u largua për shkak të një mosmarrëveshjeje me ish-Presidentin, një marrëdhënie të cilën e rregulloi sërish më vonë. Zoti Bannon gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në mediat e krahut të djathtë.
Në argumentet përmbyllëse të paraqitura të premten, ekipi i tij mbrojtës tha se Bannon po goditej politikisht dhe e cilësoi dëshmitarin kryesor të akuzës, si një demokrat të motivuar politikisht, e me lidhje me një nga prokurorët.
Por në kundërpërgjigjen e tyre, përfaqësuesit e prokurorisë thanë se Bannon përbuzi autoritetin e Kongresit duke kërkuar që ai të mbahej përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme.
Lidhja e Lulzim Bashës me Steve Bannon
Lulzim Basha u mor kohë më parë i pandehur për çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe dyshimeve se janë përdorur para ruse për të fituar mbështetje në Kongres dhe Shtëpinë e Bardhë.
Nick Muzin lobisti i paguar nga Basha me gjysmë milion dollarë kontaktoi me Stephen Bannon, në atë kohë një këshilltar me peshë i Trump dhe të tjerë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për llogari të Bashës dhe organizoi intervistimin e tij nga “Breitbart News”, faqe ultrakonservatore e informacionit online, që drejtohej nga Stephen Bannon deri para se ai t’i bashkohej fushatës së Trump në 2016.