PD kërkoi të njihej me provat e SPAK për arrestimin e Ballukut, Kuvendi: USB me materialin sekret është në kasafortën e protokollit!

17 December 2025, 14:54Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PD kërkoi të njihej me provat e SPAK për arrestimin e Ballukut,
Belinda Balluku

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet të premten pa u njohur me dokumentacionin e plotë që ka sjellë SPAK, i cili kërkon arrestimin e Belinda Ballukut.

Kuvendi ju ka shpërndarë 10 anëtarëve të Këshillit, vetëm kërkesën e prokurorisë, por jo provat mbështetëse që ndodhen në një USB, siç SPAK i ka dorëzuar, me argumentin se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar që këto informacione të ngelen sekret dhe ndalohet publikimi i tyre.

Kuvendi në një njoftim për mediat shkruan se gjatë mbledhjes së ditës së premte, ku marrin pjesë edhe prokurorët, do të diskutohet edhe si do të trajtohen këto dokumente sekret hetimor.

Njoftimi:
Kuvendi i Shqipërisë, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe të urdhrit të prokurorit të çështjes “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, Kryetari i Kuvendit ka nxjerrë Urdhrin nr. 41, datë 16.12.2025, për thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Administrata e Kuvendit (Sekretaria e Këshillit) u vuri në dispozicion anëtarëve të këtij Këshilli aktet procedurale përkatëse, si edhe kërkesën dhe urdhrin e prokurorit për ruajtjen e sekretit hetimor, me detyrimin e shprehur që këto dokumente të mos bëhen publike.

Materiali me karakter “sekret hetimor”, në zbatim të Urdhrit të Prokurorisë së Posaçme, datë 16.12.2025, “Për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve”, i nxjerrë në mbështetje të neneve 103, 104 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale dhe nenit 295/a të Kodit Penal, mbart detyrimin e Kuvendit për zbatimin e këtij urdhri në ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit ose shpërndarjes së akteve të tilla.

Materiali me karakter “sekret hetimor” ndodhet në kasafortën e specialistit të protokollit për dokumentacionin e klasifikuar.

Kjo çështje dhe mënyra e njohjes me këtë informacion do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, në prani të prokurorit të SPAK-ut.

Gjejmë rastin të ritheksojmë edhe një herë, për të gjithë deputetët që janë vënë në dijeni, detyrimin për zbatimin e rreptë të ruajtjes së sekretit hetimor, në përputhje me urdhrin e prokurorit të çështjes.

Të gjitha veprimet e deritanishme të Kuvendit janë të bazuara dhe në zbatim të Kushtetutës, Rregullores së Kuvendit dhe urdhrit të prokurorit.


Video