Opozita e Sali Berishës do të kërkojë një mocion me dabat për vjedhjen e fondeve të BE-së, nëpërmjet programit të IPARD. Vendimi është marrë në mbledhjen e grupit, të zhvilluar sot në mesditë në selinë blu.
“Mocion me debat, për abuzimet me fondet e BE, Kuvendi duhet të miratojë një rezolutë ku duhet të dënojnë vjedhjen e fondeve të BE. E pa ndodhur në asnjë vend tjetër, dhe është në përgjegjësinë e Kuvendit të Shqipërisë, që përmes një Komisioni të posaçëm, të përmbushim çdo kërkesë të Komisionit Europian”, tha kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi.
Gazmend Bardhi, njoftoi gjithashtu se kanë trajtuar në grup "një kërkesë për interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, gjithashtu për seancën e ardhshme plenare lidhur me skandalin emërimit prej tij të një agjenti apo ish-agjenti të shërbimeve sekrete rumune që sipas hetimeve të autoritete ndërkombëtare rezulton të jetë pika lidhëse midis klaneve apo grupeve kriminale ndërshtetërore të trafikut të lëndëve narkotike si këshilltar i jashtëm i kryeministrit të Shqipërisë.
Së pari, një agjent i shërbimeve sekrete të huaja nuk mund të jetë kurrë i rekrutuar sepse kjo cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë", tha ai.
Gazment Bardhi pas mbledhjes së grupit në selinë e PD-së, ka bërë të ditur se, deputetët e Komisionit të Shëndetësisë në Kuvend kanë kërkuar një interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu.
“Sistemi korruptiv buron nga koka, që nga ministri i Shëndetësisë dhe është shtrirë në të gjithë sektorin e shëndetësisë, - tha Bardhi. - Prandaj edhe interpelanca urgjente me ministren është dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë ditës së sotme, ka gjithë mbështetjen e Grupit tonë parlamentar dhe të jeni të sigurt që secili prej atyre që është përfshirë në këtë skemë dhe unë kërkoj një hetim të plotë, sepse ka dhe të tjerë të përfshirë, por mbi të gjitha do të duhet të mbahen përgjegjës ata që korrupsionin në sistemin e shëndetësisë e kanë ngritur në sistem.”