Një tjetër dosje ndaj Ahmetajt! Dëshmia e ‘pastrueses së financave’ implikon ish-ministrin

4 February 2023, 13:26Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një tjetër dosje ndaj Ahmetajt! Dëshmia e ‘pastrueses

Alda Klosi është arrestuar mbrëmjen e së premtes me tre akuza, por për momentin asnjëra prej tyre nuk e çon dosjen hetimore për 500 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi në kompetencë të SPAK-ut.

Klosi akuzohet për fshehje të të ardhurave, shmangie të detyrimit për deklarimin e tyre si funksionare publike, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerëve të policisë gjyqësore.

Ndaj saj nuk është ngritur akuza e korrupsionit, që do ta çonte dosjen në kompetencë lëndore të Prokurorisë së Posaçme.

Megjithatë, burime të Top News pohojnë se një detaj nga dëshmia e Dobit mund të ndryshojë gjithçka dhe dosja t’i përcillet SPAK-ut nga ana e Prokurorisë së Tiranës.

Detaji është pohimi i pastrueses Dobi që në dëshminë e vet thotë se paratë mbërrinin me çanta në banesën e Alda Klosit të paktën që prej vitit 2021.

Që prej vitit 2020, Alda Klosi ka punuar te Rindërtimi me Arben Ahmetajn, fillimisht si këshilltare dhe nga tetorit 2021 deri në gusht 2022 si shefe e kabinetit në Ministrinë e Rindërtimit, drejtuar në atë kohë nga Arben Ahmetaj.

Grupi hetimor, thonë burimet, ka marrë me rezerva si dëshminë e Rozeta Dobit që flet për inskenim të vjedhjes, ashtu edhe dëshminë e Alda Klosit që mohon inskenimin. Të njëjtat burime pohojnë se një pyetje që është ngritur në grupin hetimor lidhet me burimin e këtyre parave. A janë këto para, burim korrupsioni nga procesi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019?

Nëse vijimi i hetimeve çon në indicie e prova që po, atëherë dosja do t’i përcillet SPAK për hetim dhe në këtë rast veç Alda Klosit në akuzë pritet të merren edhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Rindërtimit, ndoshta deri te ish-ministri Arben Ahmetaj./Marrë nga TopNews


Video