Ditën e sotme nis sesioni i ri parlamentar, ndërsa kreu i shtetit, Bajram Begaj i është drejtuar me një mesazh të gjithë ligjvënësve, teksa ‘klima’ politike duket sërish e tensionuar. Në një mesazh të gjatë, Presidenti Begaj u bën thirrje klasës politike që t’i lënë pas debatet dhe fyerjet mes njëri-tjetrit dhe ta kthejnë Kuvendin në një hapësirë pajtimi dhe debatesh konstruktive
“Dua t’ju përcjell kërkesën e qytetarëve tanë, të cilët kanë nevojë që t’ju shohin e t’ju dëgjojnë tek diskutoni për të tashmen e të ardhmen e tyre, pa humbur kohë me personalizimin e debateve dhe fyerje reciproke, skena këto që i zhgënjejnë, i bëjnë pesimist dhe i distancojnë ata nga politika. Thirrja ime është e thjeshtë: kthejeni Kuvendin në hapësirën e pajtimit dhe në vendin e debateve konstruktive, ku profesionistë të ndryshëm, media, studentët, shoqëria civile, diaspora dhe përfaqësuesit e shtresave të ndryshme sociale e të pakicave kombëtare, të kenë dëshirë të përfshihen për t’i dhënë një shtysë të fortë reformave për integrimin evropian dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit.”
Presidenti e konsideron një problem serioz atë të emigrimit të të rinjve dhe të shtetasve të mirëedukuar e mirëkualifikuar.
”Duhen ndërmarrë iniciativa ligjore për një zhvillim të qëndrueshëm në fushat prioritare dhe në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit, jo duke plotësuar vetëm nevojat aktuale të shoqërisë, por duke mbajtur në konsideratë edhe brezat e ardhshëm. “ Promovimi i rritjes ekonomike gjithpërfshirëse, me qëllim që të përfitojnë të gjithë shqiptarët kërkon konkurrencë të ndershme, çmime të pranueshme, shërbime cilësore dhe personel të mirëedukuar dhe të mirëkualifikuar,” - thotë në mesazhin e tij Presidenti.