Osmani viziton nesër Shqipërinë, do t’i dorëzojë Kadaresë nënshtetësinë e Kosovës

3 September 2023, 19:46Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Osmani viziton nesër Shqipërinë, do t’i dorëzojë
Presidentja Vjosa Osmani dhe shkrimtari Ismail Kadare

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të nisë ditën e nesërme një vizitë dy ditore në Shqipëri.

Mësohet se gjatë vizitës, Osmani do të takojë shkrimtarin e shquar Ismail Kadare, të cilit do t’i dorëzojë nënshtetësinë e Kosovës, në një ceremoni në veçantë.

“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, u shpreh Osmani.

Në qershor, Kadare u nderua me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti që Republika e Kosovës ndan për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.

Osmani vjen në Shqipëri me ftesë të presidentit Bajram Begaj si dhe do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

“Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla”, thuhet në njoftimin e Presidencës.


Video