Mos pyesni kush i zëvendëson por pse po ikin!

8 November 2022, 12:09Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mos pyesni kush i zëvendëson por pse po ikin!
Në foto: Ish-deputetja, Grida Duma

Pa u bërë ende 24 orë ka ardhur dhe largimi i dytë nga radhët e deputetëve të PD. Mbrëmjen e së hënës ishte Alfred Rushaj i cili njoftoi largimin nga politika dhe lënien e mandatit, duke bërë me dije se është një vendim për arsye personale.

Ndërkohë që ditën e sotme Grida Duma në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat deklaroi se ka dorëzuar në Komisionin e Mandateve kërkesën për lënien e mandatit.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka komentuar heqjen dorë nga mandatet deputetja Grida Duma dhe deputeti, Alfred Rushaj.

Patozi ngre pyetjen se se: Çfarë ka ndodhur në atë parti, prej së cilës edhe deputetët po largohen në tufa.

"Po shoh se si po vrapojnë të gjithë për të gjetur se me kë do të bëhen zevendësuesit e Alfred Rushajt dhe Grida Dumës nga lista grupit parlamentar të PD, me foltoren e Doktorit apo me antifoltoren e "Alibashës".

Ndërkohë që lajmi është se çfarë ka ndodhur në atë parti, prej së cilës edhe deputetët po largohen në tufa.

Saqë ngjasojnë me ata shqiptarët e dëshpëruar, që lënë atdheun përditë duke kaluar La Manshin me gomone, pa e kthyer fare kokën mbrapa.

Për frymë popullsie i bie që më shumë po ikin demokratë nga parlamenti, se sa shqiptarë drejt Anglisë" shkruan Patozi ne facebook.

Kujtojmë që një ditë më parë në media Duma u përfol se do të largohej nga politika për t’iu bashkuar botës së medias, ku flitet se do të marrë drejtimin e një emisioni politik.

Largimi i Rushajt dhe Dumës nga parlamenti, do t’i japë mundësinë që të hyjnë në Kuvendin e Shqipërisë, Petrit Dodës dhe Oriola Nebiajt.


Video