Ministria e Drejtësisë "sqaron" foton e Tahirit me Balilin dhe Bajrin: Ishin akomoduar në të njëjtin sektor, gotat me ujë dhe pije freskuese

4 August 2023, 17:56Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministria e Drejtësisë "sqaron" foton e Tahirit me Balilin
Ish-ministri Saimir Tahiri në burg me Kelmend Balilin dhe Safet Bajrin

Ministria e Drejtësisë ka reaguar pas publikimit në internet të një fotografie të ish-ministrit Saimir Tahiri nga qelia e burgut në Kosovë të Lushnjes, ku shihet teksa drekon me Kelmend Balilin dhe Safet Bajrin, emra të njohur të botës së krimit.

Ministria e Drejtësisë thotë se tre personazhet e njohur dhe një i katërt që nuk është identifikuar se kush është, ishin akomoduar në të njëjtin sektor të burgut, ku ushqimi shërbehet në dhoma.

Sa i përket pretendimeve se ata po konsumonin verë, Ministria thotë në reagimin e saj se "është e dukshme" që ata po konsumojnë ujë dhe pije freskuese.

Ndërsa fotografinë, e ka shkrepur një punonjës i burgut.

"Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi", thuhet në reagim.

REAGIMI I PLOTË:

Sqarim i opinionit publik!

Dëshirojmë t’ju informojmë se personat në fotografi, në kohën kur është bërë kjo foto, vuanin dënimin me statusin e ‘të burgosurit’ në IEVP ‘Kosova e Lushnjes’.

Këta të burgosur kanë qenë të akomoduar në të njëjtin sektor dhe është e rëndësishme të theksojmë se në këtë IEVP, ushqimi shërbehet gjithmonë në dhomat e të dënuarve, pasi nuk ekziston një ambient i veçantë (menzë kolektive) për ngrënien e ushqimit, por konsumohet vetëm në dhomat e tyre.

Në lidhje me pretendimet për pije alkoolike, është e dukshme që në tavolinë janë shishe me ujë, si dhe gota me pije freskuese.

Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje, dhe në bazë të rregulloreve, konsumimi i verës apo pijeve alkoolike është i ndaluar në të gjitha IEVP-të në vendin tonë.

Fotografia në fjalë ka qënë pjesë e disa fotografive të bëra nga personeli i IEVP “Kosovë e Lushnjes”, gjatë ndjekjes së një dite normale në Institucion, konform rregulloreve ne fuqi.

Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të bëjmë të ditur se ky institucion është përgjatë gjithë kohës i monitoruar nga SHKBB dhe mekanizmat monitorues.

Drejtoria e Burgjeve ju falenderon për ndjeshmërinë dhe është e hapur për adresimin e saktë të çdo shqetësimi me ndjeshmëri të lartë publike.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

Me respekt,

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve


Video