Identifikimi elektronik është metoda e zgjedhur për zgjedhjet vendore, që janë duke u zhvilluar ditën e sotme më 14 maj.
Që prej javësh është prezantuar si proces dhe mënyra se si do të zhvillohet, por mesa duket në ditën më të rëndësishme, procesi ka hasur probleme.
Megjithëse janë zgjedhjet më të shtrenjta për nga ana e investimit në pajisje dhe module, pajisjet e identifikimit kanë pasur vështirësi në funksionimin normal të tyre.
Që në orët e para të procesit të votimit, shumë qytetarë në mbarë vendin nuk kanë mundur të identifikohen nëpërmjet aparaturave të instaluara për ta lehtësuar këtë proces.
Sipas informacioneve, prej kësaj vështirësie, nëse vazhdohet kështu dhe në orët në vazhdim, është njoftuar që pas 3 orësh, procesi do t’i rikthehet mënyrës tradicionale të tij.
Probleme janë raportuar dhe në Tiranë, saktësisht tek “Dëshmorët e Lirisë”, ku aparati PEI nuk ka funskionuar duke bllokuar dhe vetë kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi i cili është gjendur në një situatë jo pak të sikletshme pasi nuk ka mundur të votojë. Teknikët të cilët kanë mbërritur për të fiksuar problemin janë detyruar ta zërthejnë pajisjen PEI para kamerave ndërsa njerëzit prisnin në radhë për të votuar.