“Me votat tuaja prekim ëndrrën shekullore”, Rama tregon bisedën me taksistin në Athinë dhe fton emigrantët të kthehen

30 March 2025, 17:17Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Me votat tuaja prekim ëndrrën shekullore”, Rama tregon
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama e nisi takimin e sotëm në Athinë me një urim për Fiter Bajramin për të gjithë shqiptarët atje që i përkasin besimit mysliman. U komunikoi të pranishmëve në sallë se është i gatshëm pas fjalës së tij, t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve.

“Të gjithë ata që janë pjesë e komunitetit të shqiptarëve të Greqisë dhe i përkasin besimit mysliman, u uroj gëzuar këtë ditë të bukur të Bajramit. Arsyeja pse e zgjodhëm këtë sallë duke pasur parasysh edhe rrezikun që një pjesë të mos hynte dot brenda është se unë meqë ky është takimi i fundit para zgjedhjeve, do dëshiroja të merrja dhe disa pyetje nga ju.”

Më tej, ritheksoi se synimi kryesor pas fitores më 11 Maj është padyshim ëndrra shekullore e shqiptarëve, anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian.

“Me votat tuaja do të realizojmë ëndrrën shekullore, të anëtarësimit në BE. Ata janë të detyruar të na respektojnë dhe vlerësojnë për atë që jemi. Sot fati ynë është në dorën tonë! E shikojmë me shumë optimizëm mandatin e 4-ërt. Ky është lajmi për ju dhe të gjithë ata që kanë filluar ta shohin Shqipërinë si vendin ku duan të kthehen, por ende ngurrojnë sepse janë të pasigurt nëse do gjejnë atje të paktën atë që kanë këtu. Unë u them që do gjejnë mundësinë që nesër të kenë më shumë se këtu!”, tha Rama.

Tha se marrja e pasaportës europiane është mbi të gjitha ruajtje e identitetit kombëtar, duke mësuar mbi çdo lloj gjuhe apo kulture tjetër.

“Sot ju të gjithë i jeni imponuar këtij vendi, lagjes, rrugës, atij këndit ku hyni e dilni çdo ditë me fëmijët tuaj dhe ku përshëndesni fqinjët grekë sepse sot keni arritur të jepni respekt, dhe të merrni respekt siç nuk e merrnit në krye të herës. Në të njëjtën situatë është Shqipëria sot, fiks! I ka parë dhe i ka vuajtur të gjitha këto, sepse ka pasur në krye të saj njerëz që nuk kanë pasur kurajon të qëndrojnë drejt përballë fqinjëve, Europës e botës! Kanë dhënë servilizëm dhe kanë pranuar edhe poshtërim, duke bërë që të huaj të na shikojnë si përfaqësues të një shteti që nuk meriton respekt dhe vlerësim. Sot kjo ka ndryshuar dhe sot ju i duheni vendit në 11 Maj për të vënë vulën mbi gjithë këtë proces që së bashku kemi ndërmarrë me vështirësi për të realizuar atë që është detyrimi i fundit, t’i japë çdo prind fëmijës pasaportën europiane dhe t’i thotë “Mëso gjuhën greke, kulturën greke. Mëso gjuhën italiane, franceze! Mëso kulturën e Europës, por nuk ke nevojë të ndryshosh atë që je dhe të ndryshosh pasaportën tënde, shqiptar!”

Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët e Athinës, deklaroi se “pagën mesatare 1000 euro në sektorin publik e shikojmë me optimizëm në mandatin e katërt”.

“Një taksist më tha që ‘kur erdhëm ishim 100 shkallë më poshtë se këta këtu, sot jemi një shkallë larg tyre. Jemi gati për ta ngjitur dhe për t’u bërë njësh me të gjithë evropianët e tjerë, duke u ulur në sofrën e përbashkët të familjes së bashkuar evropiane. Kur ne morëm detyrën, bankat ishin zhytur në kredi të këqija. Ishte një dritë e kuqe që paralajmëronte një rrezik të madh, që shqiptarët e Greqisë e kanë përjetuar në lëkurën e vet, ku piramidat u kthyen në gropa dhe ku u varros një pjesë e madhe e pasurisë së tyre. Sot kreditë e këqija janë nën 5 përqind, njësoj si vendet e tjera dhe Shqipëria nuk ka asnjë rrezik. Kur ne morëm detyrën, të ardhurat për frymë ishin 3200 euro, sot janë mbi 10 mijë euro dhe në Shqipërinë 2030 do të jenë 15 mijë euro. Paga mesatare ishte 370 euro, në sektorin publik, ku njerëzit punësohen për t’u shërbyer të tjerëve, sot me vitin 2024, të mbyllur me pagën mesatare në sektorin publik 1 mijë euro e shikojmë me optimizëm mandatin e katërt”, tha Rama që sakaq ftoi emigrantët që të kthehen.

“Ky është lajmi për të gjithë ju dhe ata që kanë filluar ta shohin Shqipërinë si vendin ku mund të kthehen, por ende ngurrojnë për shkak se janë të pasigurtë nëse do të gjejnë aty të paktën atë që kanë këtu, ndërkohë që them se kush ka kurajon të kthehet sot, do të gjejë aty mundësinë që nesër do të ketë më shumë se këtu (Greqi). Paga mesatare asokohe ishte 320 euro, sot paga mesatare e përgjithshme midis shtetit dhe privatit është 830 euro dhe në mandatin e katërt do ta çojmë 1 mijë euro”, shtoi Rama.

 


Video