Manja “kundër” Ramës: Pse nuk distancohet Albin Kurti nga ky turp?

21 June 2026, 19:13Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Manja “kundër” Ramës: Pse nuk distancohet Albin Kurti nga
Ulsi Manja dhe Edi Rama

Debati i nisur nga kryeministri Edi Rama për pjesëmarrjen e protestuesve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat kundër qeverisë në Tiranë, ka përfshirë edhe deputetë të partisë së tij.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja duke iu referua drejtpërdrejt sqarimit të Ramës se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk duhet përfshirë në polemikën e krijuar pas protestës, shkruan në rrjetet sociale:

“Dakord Kryeministër, dakord, me ty jam, po në qoftë se Albin Kurti nuk paska lidhje me këtë çorbë qensh dhe ishalla s’ka, pse nuk distancohet Qeveria e tij nga ky turp me gjoja ‘diasporë’?”.

Deputeti socialist shkon më tej, duke e konsideruar të papranueshme përfshirjen e qytetarëve nga Kosova në përpjekje politike kundër Qeverisë shqiptare.

“Unë mendoj se nuk ka hajvanllëk më të madh se sa të vish nga Kosova për të rrëzuar qeverinë në Tiranë. Jo vetëm se nuk e rrëzon dot, por i jep një dorë të madhe armiqve të Kosovës”, vijon ai.

Reagimi i Manjës vjen pasi Rama publikoi një mesazh të gjatë, ku sulmoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës, duke kundërshtuar përdorimin e termit “diasporë” për shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.

Në shënimin e tij, kryeministri argumentoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë popull shtetformues në vendin e tyre, ndërsa shqiptarët e Kosovës kanë shtetin e tyre të pavarur dhe nuk mund të konsiderohen diasporë e Shqipërisë.

Në fund të reagimit të tij, Rama bëri një ndarje të qartë mes protestuesve dhe kryeministrit të Kosovës.

“Lëreni Albin Kurtin jashtë kësaj çorbe të neveritshme”, shkroi ai, duke theksuar se nuk e konsideron Kurtin përgjegjës për veprimet e militantëve të Vetëvendosjes që mund të kenë marrë pjesë në protestë.

Ndryshe nga Rama, i cili kërkoi të mos përfshinte Kurtin në polemikë, ish-ministri i Drejtësisë ngriti publikisht çështjen e mungesës së një qëndrimi nga ana e qeverisë së Kosovës, duke sugjeruar se distancimi institucional do të ishte i nevojshëm nëse Prishtina nuk ka pasur asnjë rol në organizimin apo mbështetjen e protestës.


Video