“Lëvizja Bashkë”, sërish protestë për kullën 64 kate të Foltores

9 August 2023, 10:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Lëvizja Bashkë”, sërish protestë për
Pamje nga protesta kunder kulles

“Lëvizja Bashkë” nuk do të ndalet në protestat kundër prishjes së parkut pas Teatrit të Operës dhe Baletit për ndërtimin e kullës 64-katëshe që dyshohet se financohet nga njerëzit e “Foltores”. Protesta e radhës do të mbahet pasditen e së enjtes, në orën 18.30.

Njoftimi i “Lëvizjes Bashkë”:

PROTESTA NUK NDALET

Dy protestat e para kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të Tiranës për krimin urbanistik që po ndodh me prishjen e parkut pas Teatrit të Operës dhe Baletit. Qindra qytetarë kanë marrë pjesë në to dhe shumë të tjerë janë informuar nga fushata ndërgjegjësuese intensive e aktivistëve të Lëvizjes BASHKË.

Ndonëse muaj pushimesh, i zgjedhur tinëzisht nga oligarkët dhe pushtetarët, qytetarët e Tiranës po tregojnë kundërshtinë e tyre ndaj përvetësimit të hapësirës publike, zhdukjes së gjelbërimit dhe ndotjes së ajrit.

Lëvizja BASHKË vazhdon me këmbëngulje të thërrasë qytetarët në protestë, e bindur se vetëm masiviteti i rezistencës mund ta shpëtojë parkun.

Ne luftojmë për jetën!

Ne angazhohemi për qytetin!

Ne përpiqemi BASHKË!

Ju ftojmë të na bashkoheni sërish, më të shumtë e të vendosur, në protestën e ditës së enjte, 10 gusht, aty ku sot është një vend krimi, por nesër mund të bëhet një hapësirë shprese!

Takohemi në parkun tonë!


Video