Parlamenti jep ‘OK’ për arrestimin e ish-zv/kryeministrit, Arben Ahmetaj

14 July 2023, 11:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Parlamenti jep ‘OK’ për arrestimin e ish-zv/kryeministrit,
Në foto: Arben Ahmetaj dhe parlamenti

Kuvendi i Shqipërisë autorizoi ditën e sotme SPAK-un që të arrestojë deputetin Arben Ahmetaj.

Me 117 vota pro, parlamenti autorizoi SPAK-un që të ushtrojë edhe kontroll në banesën e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj.

Pas kërkesës së SPAK-ut, Kuvendi mblodhi Këshillin e Mandateve. U desh që deputetët të mblidheshin 2 ditë rresht me dyer të mbyllura për të dalë në një konkluzion.

Të dyja palët, si opozita dhe mazhoranca, ishin pro heqjes së imunitetit për Arben Ahmetajn, megjithatë secila doli me një raport të vetin.

Vetë Ahmetaj nuk ishte i pranishëm në seancë. Ajo që dihet me siguri është që ai nuk ndodhet në Shqipëri dhe këtë e kanë konfirmuar avokatët e Ahmetajt, por nuk dihet se në cilin shtet ndodhet aktualisht 

Ku ndodhet Ahmetaj?

SPAK po heton rolin e Ahmetajt në tre inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.  Sipas Zërit të Amerikës Ahmetaj u largua nga Shqipëria pak orë përpara se Prokuroria të formulonte kërkesën drejtuar parlamentit për ti hapur rrugë arrestimit të tij.

Në 2 mbledhjet e këshillit të mandateve (11 - 12 korrik) Ahmetaj u përfaqësua nga avokatët të cilët pranuan se klienti i tyre nuk ndodhej në Shqipëri se ishte jashtë për arsye familjare dhe se nuk kishte pasur asnjë dijeni se Prokuroria do të paraqiste një kërkesë të tillë para Kuvendi. 

Po sipas Zërit të Amerikës, Ahmetaj është larguar nga pika kufitare e Kakavijës. Ai kishte blerë online një bilete avioni për në Itali por nuk e ka përdorur atë.

VOA por jo vetëm, edhe kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazmend Bardhi kanë hedhur gjithashtu hipotezën se nga verifikimet e sinjalit të celularit të ish ministrit të Financave, momenti i fundit i vendndodhjes rezulton të ketë qenë Kanadaja.


Video