Seanca e sotme plenare në Kuvend pritet të ketë debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës sa i takon projekt vendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion.
Projekt vendimi për ngritjen e Komisionit është futur në rendin e ditës, por opozita është skeptike sa i takon kësaj pike.
Grupi i Rithemelimit deklaroi një ditë më parë se nuk do e mbështesin me votë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, pasi nuk dinë objektin dhe se sipas tyre është thjesht një propagandë e kryeministrit Rama.
Edhe PD e Bashës nuk ka mbajtur një qëndrim nëse do ta votojë apo jo, duke thënë se fillimisht kryeministri Rama do duhet të japë qëllimin e vërtetë të këtij komisioni.
Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor dhe sipas projektvendimit të publikuar një ditë para votimit në seancë plenare, anëtarët do të jenë kryetarët dhe zv kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.