Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi do të vijë nesër për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Sipas njoftimit të publikuar nga BE, Varhelyi do të jetë i pranishëm në “bypassin e Vlorës”, së bashku me kryeministrin Edi Rama. Pas vizitës, ai pritet që të dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.
Varhelyi së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrel, do të vizitojnë Malin e Zi kuadër të Këshillit të 11-të të Stabilizim Asocimit. Të premten, Borrell do të takojë një sërë zyrtarësh të lartë të Malit të Zi dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Ajo që vihet re është se brenda pak kohësh, zyrtari i lartë i BE-së shmang për herë të dytë një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Edhe kur vizitoi Tiranën në muajin Maj të këtij viti nuk zhvilloi takim me kreun e shtetit.
Po ashtu edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarët e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit që kanë ardhur në dy vitet e fundit në Tiranë, kanë shmangur një takim me presidentin Meta.
Kreu i shtetit herë ka deklaruar se këto takime nuk janë realizuar për çështje agjende dhe herë për arsye protokolli.
E vërteta duket se nuk është asnjëra prej tyre. Agjenda dhe protokolli mund të bëhen pengesë në një, dy, apo tre raste. Por, Meta është shmangur në një seri rastesh të tilla, sidomos në dy vitet e fundit, që s’mund të shpjegohen vetëm me protokollin e agjendën, por me faktin që BE e SHBA i kanë hequr vizën me kohë.