Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin e 2026 pa Veliajn

18 December 2025, 18:38Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin e 2026 pa Veliajn
Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin e 2026

Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar buxhetin e vitit 2026 me vlerë rreth 400 milionë euro, në një mbledhje të zhvilluar pa praninë e kryetarit të arrestuar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku kishte kërkuar të ishte i pranishëm në mbledhje, por kërkesa e tij është refuzuar nga SPAK.

Partia Demokratike ka hedhur dyshime serioze mbi legjitimitetin e vendimmarrjes, duke theksuar se 29 amendamente të propozuara nga opozita nuk u hodhën fare në votim.

Ilir Alimehmeti ngriti pikëpyetje mbi kompetencat e drejtimit të Bashkisë.

“A e ka Ristani kompetencën për të firmosur, duke mos qenë kryetare e zgjedhur por e urdhëruar?”, shtroi pyetjen ai gjatë debatit.

Nga ana e saj, Anuela Ristani u shpreh se dorëzimi i draftit të buxhetit ishte një detyrim institucional.

“Kemi për detyrë ta dorëzojmë. Çështjet mund të jenë të drejta, por nuk jam autoriteti i duhur për t’u dhënë përgjigje. Do të ishte shkelje nëse nuk e dorëzoja një draft”.

Përfaqësuesi socialist, Eridian Salianji, deklaroi nga ana tjetër se mungesa e Veliajt ka ndikuar drejtpërdrejt në performancën financiare të Bashkisë.

“Sot kemi vetëm 60% zbatim të buxhetit dhe kjo dihet pse ka ndodhur. 40% e buxhetit 2025 nuk është realizuar për shkak të mungesës së kryetarit, duke sjellë pasoja direkte në shërbimin ndaj qytetarëve”.

Miratimi i buxhetit pa praninë e kryetarit të bashkisë dhe pa votimin e amendamenteve të opozitës pritet të thellojë më tej përplasjen politike në Këshillin Bashkiak, ndërsa PD paralajmëron se do të ndjekë rrugë institucionale për të kontestuar procesin.


Video