Edi Rama viziton në burg Thaçin: Padrejtësi ulëritëse në mes të Europës, u rrëmbye pa gjyq dhe pa akuzë!

18 December 2025, 13:04Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama viziton në burg Thaçin: Padrejtësi ulëritëse
Edi Rama

Nga Haga, ku vizitoi Hashim Thaçin, kryeministri Edi Rama ka bërë një tjetër reagim për gjyqin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim prej 5 vitesh nën akuzën e krimeve të luftës.

Kryeministri, në një postim në rrjete sociale, e cilësoi godinën ku ndodhet Thaçi si një vend ku luhet “teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare për ish presidentin e Kosovës, për të cilin thotë se u rrëmbye pa gjyq e akuzë nga zyra.

Rama thotë se luftën e çlirimtarëve s’e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga “kukullat e Dumës së Putinit në Strasburg”.

“Sapo kam dalë nga godina ku luhet teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare me Hashim Thaçin, i cili u rrëmbye pa gjyq e as akuzë nga zyra e Presidentit të Republikës, ku e kishte çuar populli i Kosovës, e me Luftën Çlirimtare të Kosovës, të cilën nuk e përdhos dot një farsë e nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Strasburg dhe e vazhduar me lloj-lloj absurditetesh e dëshmitarësh groteskë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, shkruan Rama.

Më tej, ai thekson se Thaçi ishte në formë dhe i buzëqeshur, duke treguar edhe bisedën që zhvilloi me të.

“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”, shton ai.

Në fund, Rama shprehet se nuk di se çfarë të thotë më për këtë padrejtësi ulëritëse që po ndodh në zemër të Evropës. Populli i Kosovës, thotë ai, e çliroi veten nga serbët, por gjithashtu shpëtoi edhe kontinentin nga një njollë e zezë që ishte “mu në kërthizë të saj për dekada me radhë”.

“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e me fondet e taksapaguesve të vendeve demokratike, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë. Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor.”, përfundon Rama.


Video