Kryetari i Partisë Demokratike e ka cilësuar protestën e një dite më parë të organizuar nga PD si më madhështoren në 30 vjet.
Teksa i cilësoi protestuesit misionarë, kryedemokrati tha se ata nuk dolën për Sali Berishën por për të përmbushur misionin për largimin e Edi Ramës.
“Mbrëmë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, të gjithë ata që erdhën nga çdo skaj dhe lagje e Tiranës dhe Shqipërisë, nuk ishin aty për Sali Berishën. Nuk ishin aty thjesht për një protestë. Ishin të gjithë misionarë, njerëz, burra, gra, të rinj dhe të reja në përmbushje të një misioni. Në këtë aspekt, forca e një tubimi madhështor të tillë nuk është e jashtëzakonshme, por është nukleare. Njerëzore nukleare”, tha Berisha.
Sipas Berishës, në shesh apo në drejtim ishte opozita bio, që komunikonte direkt me protestuesit.
Kjo, tha ai, është arsyeja pse njerëzit u larguan pa thënë se çfarë do bëjmë, se e dinë se do vijnë prapë.
A është gati për zgjedhje të parakohshme PD?
“Mendoj se po, mendoj se tubimi misionar i djeshëm dëshmoi se ku ndodhet Partia Demokratike me veten e saj. Ishte në protestë. Ka individë që preferojnë të çojnë dolli me Edi Ramën apo të mbajnë flamurin e pseudo-opozitës. Por, siç e shpreha, largimi i Edi Ramës nga pushteti është objektivi i kësaj lëvizjeje. Nuk është çështje pushteti në këtë rast. Themelore është përmbysja e monizmit, i vjedhjeve të tmerrshme dhe mbulimit që u bën SKAP-i e prokuroria, çdo ditë e më shumë ne marrim informacione për mënyrën se si mbyllën aferat e Erion Veliajt e Damian Gjiknurit. Në Butrint del xhaxhai i Damianit, me 30 milionë euro del Thanasi i Damianit, këto nuk janë rastësi, janë plane për plaçkitje".