Kryesocialisti Edi Rama synon që 200 mijë nga 246 mijë emigrant që janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të votojnë për Partinë Socialiste.
Objektivi u shpalos gjatë një takimi të tij me kandidatët e mazhorancës për Qarkun e Tiranës.
“Ne jemi këtu mishërimi i vullnetit të afro 800 mijë shqiptarëve dhe shqiptareve që me votën e diasporës mund të shkojnë afër 1 milionëshit dhe është e pamundur të mos mendojmë edhe të mos përpiqemi që këtë forcë tua vëmë në dispozicion të gjithëve pavarësisht dallimeve që mund të kemi në tryezë kur flasim për pikëpamjet tona lidhur me një çështje apo me një çështje tjetër, në fund ne duhet të jemi të gatshëm që Partinë Socialiste tua vëmë në dispozicion të gjithë atyre që duan të realizojnë dhe që ndajnë me ne qëllime të mëdha”, tha Rama.
Në zgjedhjet e vitit 2021, pjesëmarrja ishte rreth 1.66 milionë votues, ku 622 mijë ishte vota që shkoi për Partinë Demokratike.
Partia Socialiste mori gati 770 mijë vota dhe aleatja e saj de facto në Kuvend, PSD 30 mijë të tjera. Nëse do të ruajë mbështetjen e 2021, mazhoranca ka 800 mijë vota dhe për t’iu afruar objektivit të vendosur nga Edi Rama nevojiten të paktën 200 mijë vota nga emigrantët.
Pesha e votës së emigrantëve mund të përcaktojë deri në 24 mandate në Kuvendin që do të dalë pas këtyre zgjedhjeve.