Ish-deputeti i PS-së kundër Ramës: Të rriten pagat e pedagogëve, mjaft me baltosje

19 October 2022, 19:55Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish-deputeti i PS-së kundër Ramës: Të rriten pagat e
Besnik Baraj dhe Edi Rama

Ish-deputeti i PS-së, Besnik Baraj ka kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, lidhur me protestën e pedagogëve, duke refuzuar rritjen e pagës së tyre.

Në një postim në rrjetetet sociale, Baraj shprehet se pagat e pedagogëve duhet të rriten dhe kjo kategori e shoqërisë duhet të mbështet nga qeveria.

Pas sulmeve të kryeministrit Rama, ndaj pedagogëve, ish-deputeti socialist, ka kërkuar që mos të hidhet baltë ndaj profesorëve, duke theksuar se pagat e tyre duhet të arrijnë të paktën në nivelin e pedagogëve në Kosovë.

Reagimi i plotë:

Standardin e ҫdo vendi e përcaktojnë kryesisht tre shërbime publike, ai arsimor, shëndetësorë dhe shërbimi policor (siguria). Të gjithë këto sektorë kanë nevojë për një reformë të plotë pagash. Kështu do mund të frenohet hemoragjia e mjekëve, pedagogëve të rinj dhe rinisë në përgjithësi. Minimalisht, pagat duhet të jenë sa në Kosovë dhe vendet fqinjë.

Sa i takon korrupsionit, është plagë që ka prekur të gjitha shtresat, por një gjë e them me siguri se arësimi është pjesa më pak e prekur në raport me strukturat e shtetit dhe ato politike. Këto ditë u zhvillua kongresi i nanoteknologjisë, ku morën pjesë shkencëtarë nga 26 vende. I ftuar ishte edhe Prof. Dr. Dhimitër Bello, ish student i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, sot zv dekan në Universitetin e Massachusetts. Me emocion dhe zë të lartë tha: “U bëra 50 vjeҫ por ekip profesorësh si ai i FSHN nga përkushtimi, ndershmëria dhe dija ende skam takuar. Sot shtoi, edhe në USA, shkolla është kthyer në biznes”. Të tillë pedagogë kishte ҫdo fakultet në ato vite. Edhe atëhere këta ishin superiorë nga ҫdo pikëpamje ndaj shtresësh politike. Edhe sot, mendoj, profesorati është pjesa më e ndershme. Ai ka nevojë të përkrahet me fonde, me ndryshime ligjore, me heqjen e burokracisë, dhënien e më shumë kopetencave departamentit dhe profesoratit. Pa dyshim le ti nënshtrohet auditeve e kontrolleve.

Pyll pa derra nuk ka, por kurrë nuk mund të hidhet baltë mbi ta në tërësi. Kjo është njesoj si të baltosësh të tërë shoqërinë shqiptare. Mësuesi, futet në ҫdo shtëpi, nëpërmjet nxënësve. Hedhja baltë mbi mësuesin, spërkat dhe nxënësin, bile bën pis edhe prindërit. I thua atij largohu nga ky vend, nuk të arsimon! Ky vend ka nevojë për modele pozitive, ato i gjen kudo po ti kërkosh. Mjaft më me baltosje!!!


Video