Gjykata e Korçës la në masën e sigurisë detyrim paraqitje Alti Nallbatin, vëllain e kandidatit për deputet të PD-së, Bledjon Nallbati.
Togat e zeza e cilësuan të ligjshëm arrestimin në flagrancë të tij në momentin që dhanë masën e sigurisë.
“Gjykata, në përfundim të gjykimit, vendosi: Pranimin e kërkesës. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për këtë shtetas”, njoftoi gjykata.
Avokati mbrojtës i Alti Nallbatit, Nevzat Tarelli kundërshtoi vendimin, pasi sipas tij nuk ka elementë të veprës penale.
“Në vlerësimin tonë nuk ekziston fakti kriminal i pretenduar si vepër penale”, tha avokati.
Një reagim e pati edhe Bledjon Nallbati, i cili hodhi akuza ndaj prokurores së çështjes.
“Prokurorja, ish-vartësja e Niko Peleshit, personit i cili u mor personalisht me inskenimin dhe falsifikimin e kësaj akuze që nuk qëndron shkon para gjykatës dhe thotë që nuk i kam marrë ende pamjet, nuk di çfarë ka ndodhur, por them të caktohet një masë sigurie, vlerësova si të drejtë arrestimin në flagrancë për vepra që nuk qëndrojnë dhe kërkoj që të caktohet një masë sigurie, pavarësisht nëse ende vetë nuk i administroj këto akte. Më vjen keq që gjyqtarja u bë pjesë e kësaj maskarade politike. Kuptohet pse. Padiskutim që e gjitha kjo u inskenua që Edi Rama të shmangte përgjegjësinë e tij për keqqeverisjen 12-vjeçare dhe u mor me një tallava të tillë”, tha Nallbati.
Nallbati tha se drejtori i policisë delegoi që çështja të punohej nga Drejtoria e Korçës, ndërkohë që kompetencën e ka Komisariati i Devollit.
“Unë e kuptoj, drejtori i policisë, Niko Peleshi, janë eunukë, të paburrë që marrin urdhra dhe i zbatojnë verbërisht nga shefi i tyre, Edi Rama. Nuk e kam këtë deklaratë me ata. Atyre do ua jap përgjigjet ligjërisht siç u takon. Kjo çështje sapo ka filluar. Kanë marrë në qafë punonjës policie që ka firmosur shkresat mbi këtë aktakuzë, me urdhër dhe ata e dinë mirë. E ftoj atë djalë të shkojë pa qenë nevoja që ta çoj unë në SPAK dhe kudo tjetër. Të tregojë pse u mor me një çështje që nuk i takon”, tha Nallbati.