Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka folur sot gjatë për përfshirjen e familjes së saj në dosjen e SPAK, për akuzat e ngritura ndaj saj, ish-bashkëshortit Ilir Meta, por edhe përmendjen e fëmijëve.
Ajo deklaroi se familja është vija e kuqe dhe se kur poshtërsia kalon te fëmija, duhet t’i bëjnë llogaritë vetë.
Kryemadhi tha se e ka votuar reformën në drejtësi, por nuk e ka besuar. Duke iu referuar hetimeve të SPAK, Kryemadhi tha se kam ndihmuar njerëz pa fund dhe do vazhdojë të ndihmojë.
Deputetja e PL deklaroi më tej se “nuk jemi marrë asnjëherë as me fëmijët, as familjarët e askujt. As të Edi Ramës, as të Veliajt, as të Bashës, as të Berishës, as të Nanos dhe të askujt tjetër, sepse mendoj se politika ka disa rregulla”.
"Normal të duket që SPAK përmend emrin e fëmijës tim 16 vjeç? Sepse mamaja ime ka vendosur disa para për shkollimin e vajzës sime. Unë jetoj me nënën time që kur babai im u sëmur. Për këtë i jam mirënjohës Ilir Metës.
Mamaja ime e ka cilësuar që është për shkollimin e vajzës, jo që është e vajzës. Ka hapur vajza ime llogari si studente, sepse në Angli nuk paguan dot me CASH. Kartat tona nuk janë me aplikacion. Të duhet patjetër një kartë studenti. Kjo kartë mbushet nga llogaria ime bankare që do një javë t’i shkojnë. Kështu që e gjitha kjo është një farsë dhe një mënyrë për të intimiduar dhe për të bërë pis Monikën. I kam toleruar duke u marrë me mua e Ilir Metën, sepse jemi njerëz publikë. Por kur poshtërsia kalon te fëmija, duhet t’i bëjnë llogaritë vetë sepse dhe mua nuk me ngelet gjë tjetër. Jo se fëmijët e mi nuk e përballojnë, se nuk është hera e parë. Ka filluar që në 2014. Pastaj u sajua çështja e CEZ-DIA. Çuditërisht më informon Endri Fuga. Unë e di shumë mirë kush e ka iniciuar, Lulzim Basha me një deputete të PD. Pastaj nxorën intervistën e një gazetari. Ne ia kemi marrë dorën këtyre gjërave. Por nuk jemi marrë asnjëherë as me fëmijët, as familjarët e askujt. As të Edi Ramës, as të Veliajt, as të Bashës, as të Berishës, as të Nanos dhe të askujt tjetër, sepse mendoj se politika ka disa rregulla. Po kur i prish këto rregulla pastaj mos të thonë më pastaj hajde gjejmë një zgjidhje sepse familja është vija e kuqe. Ndoshta njerëzit në politikë nuk e vlerësojnë familjen sepse iu duket demode dhe familja është në shkatërrim e sipër.
Unë e vlerësoj familjen dhe për familjen jam e gatshme të bëj çdo gjë. Deri sot kam menduar dhe politikisht dhe emocionalisht për shkak të shoqërisë, por kur kalon 50 vjeç ti bën një bilanc dhe thua këto parime që kam zbatuar me këta njerëz çfarë vlere kanë pasur. Këtu ka njerëz që vijnë me piago dhe largohen me Range Rover, vijnë me Zara dhe ikin me Fendi e vila në bregdet dhe të bëjnë dhe moral", tha Kryemadhi