Ashtu siç e paralajmëroi pak ditë më parë Vox News.al, kryeministri Edi Rama ka vendosur ta "zhveshë" Arben Ahmetajn nga çdo post politik, duke e larguar edhe nga drejtimi i Qarkut të Vlorës.
Vendimi është marrë disa ditë më parë nga vetë kryesocialisti Edi Rama, teksa burime bëjnë me dije se ky i fundit do të mbledhë këtë të martë në orën 18:00 Kryesinë e PS-së për të diskutuar për nisjen e sesionit të ri politik, si dhe për t’i gjetur zëvendësuesin Ahmetajt.
Tre kandidatët për të drejtuar Qarkun bregdetar mësohet se janë Blendi Klosi, Bledar Çuçi dhe Belinda Balluku, teksa burime për Vox News.al bëjnë me dije se emri më i mundshëm për t'u vendosur në krye të Qarkut të Vlorës është Blendi Klosi.
Por përveç Vlorës mund të jetë edhe Shkodra një qark që mund të ndryshojë drejtim pasi ministrja e Shtetit, Edona Bilali, është në pritje të ëmbël dhe PS-së i nevojiten shumë energji që në zgjedhjet vendore të luftojë për bastionin e vetëm që i ka mbetur demokratëve.
Arben Ahmetaj zëvendësoi Damian Gjiknurin si drejtues politik i socialistëve në Vlorë. Por, thuajse që në ditët e para të detyrës së re ai nuk gëzoi as besimin dhe as mbështetjen, jo vetëm të bazës së partisë, por as të tetë deputetëve të qarkut.
Burime të Voxnews.al pohojnë se përmes kulisave dhe intrigave, Arben Ahmetaj përçau grupin e deputetëve të PS-së, që janë përplasur për mënyrën e drejtimit prej tij të degës së partisë. Burimet thonë se gjendja e degës së partisë, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm është e rënduar nga përçarjet e mëritë, aq sa edhe vetë deputetët e qarkut nuk flasin me njëri-tjetrin.
“Mungon koordinimi, simpatizantët e qytetarët shpërfillen. Nuk dëgjohen. Baza është e çoroditur dhe e çorientuar në të gjithë qarkun dhe e gjitha kjo kur duhen pak muaj nga zgjedhjet dhe përgjegjësia për këtë është e drejtuesit politik të qarkut”, thonë burimet.
Për këtë arsye, baza i ka ngritur shqetësimet e veta Edi Ramës duke e paralajmëruar se nëse situata në drejtimin politik të qarkut nuk ndryshon, përçarja mund të kushtojë edhe në humbjen e ndonjë bashkie të qarkut në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në këtë rast PS pak shanse ka që të humbasë Vlorën, si bastion historik të saj, por bashki të tjera si Himara, apo Saranda mund të lëshohen.
Përballë këtyre shqetësimeve, Rama nuk ka qëndruar indiferent dhe pak ditë më parë, konfirmojnë për Voxnews.al burimet nga PS, ka pasur një komunikim me Arben Ahmetajn. Në këtë komunikim urdhri i Ramës për Ahmetajn ka qenë i qartë dhe i pastër: “Mos të të shoh më atje!”, citohet t’i ketë thënë kryeministri Arben Ahmetajt, duke nënkuptuar që të mos shkelë më në Vlorë, të paktën jo si drejtues politik i qarkut i socialistëve.
Rama ka bojkotuar të paktën që prej muajit qershor (kur Arben Ahmetaj ishte ende në Qeveri) takimet me bazën e PS-së në Vlorë në prani të Ahmetajt. Madje, ai bojkotoi edhe Asamblenë e Zgjeruar të PS-së ku u përzgjodhën drejtuesit e rinj vendorë.
Burimet thonë se ndërhyrja arrogante e Arben Ahmetajt në procesin e përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të partisë në këtë qark ishte kulmimi i gjithë procesit përçarës që ishte ndezur brenda socialistëve të Vlorës që me emërëimin e Ahmetajt si drejtues qarku, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.