“Do të rikthehem pa pasur më nevojë të tregoj pasaportën”, Silvio Gonzato largohet dhe falenderon shqiptarët për mikpritjen

24 August 2026, 17:59Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Do të rikthehem pa pasur më nevojë të tregoj
Silvio Gonzato

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, i ka dhënë lamtumirën Shqipërisë pas përfundimit të misionit të tij trevjeçar.

Me një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ai falënderoi shqiptarët për mikpritjen, u shpreh se do të rikthehet sërish dhe tha se shpreson që një ditë hyrja në Shqipëri të mos kërkojë më pasaportë.

Gonzato thotë se tre vitet në Shqipëri i kanë lënë kujtime të paharrueshme. 

Sipas tij, gjatë këtyre viteve pa nga afër edhe sfidat e vendit, por mbi të gjitha pa energjinë dhe vendosmërinë që e bëjnë të besojë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian.

Ai shkruan se do të rikthehet sërish në vendin tonë dhe shpreson që “nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri”.

“Duket sikur ishte dje kur mbërrita në pikën kufitare të Hanit të Hotit dhe nisa aventurën time në Shqipëri. Tre vite më pas, zemra dhe shpirti im janë mbushur me kujtimet e takimeve me njerëz të jashtëzakonshëm.

Kam udhëtuar në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug, nga perëndimi në lindje, duke takuar gjatë rrugës njerëz të zgjuar, ambiciozë dhe punëtorë. Kam parë vështirësitë dhe sfidat, por kam parë gjithashtu energjinë dhe vendosmërinë që më bëjnë të besoj në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Së bashku me kolegët e mi fantastikë, kemi punuar fort për t’iu përgjigjur dëshirës së Shqipërisë “për të qenë si pjesa tjetër e Evropës”, për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, në një vend me institucione të forta dhe të pavarura, ku të drejtat e më të cenueshmëve mbrohen e respektohen, ku askush nuk lihet pas dhe ku diversiteti mirëpritet dhe vlerësohet.

Të shtunën, kur u largova nga porti i Durrësit, i thashë vetes: “Do të kthehem.” Dhe një ditë, nuk do të ketë më nevojë të tregoj pasaportën për të ardhur në Shqipëri.

Deri atëherë — mirupafshim, Shqipëri”, shkruan Silvio Gonzato.


Video