Jo vetëm divorc politik, por tashmë dhe bashkëshortor. Çifti Meta-Kryemadhi kanë nisur procedurat për t’u ndarë. Ajo që nisi si një sulm politik për çështjen e nepotizmit në Partinë e Lirisë, ka prekur dhe martesën e Ilir Metës, i cili njoftoi se po ndjek rrugën juridike për t’u divorcuar nga Monika Kryemadhi.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për zgjidhje martese nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
Si paditës, kërkesa ka Ilir Metën dhe të paditur Monika Kryemadhin. Ajo që bie në sy është se Meta ka shkruar si adresë zyrat e Partinë e Lirisë në rrugën “Sami Frashëri”.

Ndërkohë, Gjykata Civile nuk e ka hedhur ende shortin për të zgjedhur gjyqtarin civil që do të shqyrtojë padinë e divorcit.
Pak më herët, në një intervistë në SyriTv, Meta deklaroi se ai dhe Kryemadhi kanë ndjekur rrugën ligjore për këtë çështje, ndërsa ka njoftuar edhe djalin e tij Besar Ilir Metën.
“Znj.Monika Kryemadhi është tashmë ish-bashkëshortja ime dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta. Kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, deklaroi Ilir Meta.
Qëndrimet e mbajtura së fundmi nga Presidenti i Partisë së Lirisë në drejtim të Kryemadhit kanë qenë të ashpra pasi të dy kanë ndarë mendime të ndryshme në publik. Drejtimi i partisë nga njëra anë dhe hetimi i nisur nga ana e SPAK kundrejt tyre shërbeu si një shtysë për të rritur tensionet në marrëdhënien bashkëshortore pasi të dy rritën dozën e akuzave mes tyre. Çifti Meta-Kryemadhi, prindër të tre fëmijëve, e nisën dhe pse jo zyrtarisht “ndarjen e tyre bashkëshortore” gjatë kohës kur Meta u emërua President i Republikës. Kryemadhi refuzoi të merrte detyrën e zonjës së parë. Ajo ia pasoi atë vajzës së saj, Erës, e cila dhe pse e mitur e shoqëronte të atin në ceremoni të ndryshme duke përmbushur boshllëkun e lënë nga Kryemadhi, që mori detyrën e vështirë për të drejtuar partinë në mungesë të Ilir Metës. Kompetenca që nuk I përmbushi siç duhet, sipas Metës, pasi e çoi Partinë e Lirisë drejt shkatërrimit me vendimet e marra. Djegia e mandateve, nga njëra anë por dhe çështjet e tjera, nuk e shpëtuan Kryemadhin e cila mbetet fajtore për Ilir Metën. Madje as hedhja e çizmes në drejtim të kryeministrit Edi Rama nuk e bindën nismëtarin e referendumit të 2 marsit 2020, që të vijojë jetën bashkëshortore me Kryemadhin.
Tashmë pa bashkëshorten e tij, Meta pritet që të marrë dhe njëherë frerët e opozitës me qëllimin e vetëm për të përmbysur Ramën. Por nga ana tjetër edhe SPAK, që sipas tij, po heton liderët opozitar me qëllimin që të shkatërrojë zërin kundër qeverisë. Divorci Meta-Kryemadhi erdhi në një kohë, kur të dy po verifikohen nga ana e strukturës së posaçme antikorrupsion pas dy kallëzimeve të bëra ndaj tyre, për operacionet estetike dhe për atë të pagesave të lobimeve të bëra në SHBA.